Sot ngujimi në AVA, si do të zgjidhen pyetjet për letërsinë
Sot pritet të ngujohen në Agjensinë e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve, specialistët e përzgjedhur për hartimin e tezës së provimit të parë të maturës 2010. Nga një fond prej më shumë se 1000 pyetjesh ata do të përzgjedhin testin final. Nga sa ka pohuar Ministria e Arsimit ky test do t’u përmbahet rigorozisht programeve orientuese që nxënësit tashmë i kanë në duar. Hartuesit do të mund të dalin nga ngujimi mëngjesin e ditës kur do të jepet provimi. Ky rregull tradicional i Maturës Shtetërore është vendosur për të shmangur abuzimet. Specialistët nuk do të kenë asnjë kontakt me mjediset e jashtme të AVA. Janë 30 mijë maturantë, që do t’i nënshtrohen provimit të letërsisë dhe të gjuhës shqipe më 1 qershor. Provimi do të përmbajë rreth 25 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara ndërmjet atyre që kërkojnë përgjigje të argumentuara dhe ato me alternativa. Pjesa më e madhe e pyetjeve do t’i përkasin lëndës së letërsisë. Në programet shkollore të drejtimit të përgjithshëm për provimin e letërsisë, gjuha shqipe, përfshirë edhe të shkruarit, zë 26 për qind të pyetjeve që do përmbajë testi, ndërsa letërsia 74 për qind. Po në këtë linjë do të veprohet edhe për tezat e provimeve që do të hartohen për llojet e tjera të shkollave të mesme në vend. Teza e provimit do të klasifikohet në varësi të llojit të shkollës së mesme që ka kryer maturanti. Do të jenë shtatë teza të ndryshme, sipas profilit të shkollave, me tri nivele vështirësie. Të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, pra që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre në çdonjërin prej testeve të provimeve të maturës. Kështu, në masën 40 për qind, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel. Nxënësit me këto nota i korrespondojnë nivelit të tretë, sipas kategorizimit që u është bërë. Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim sa për të mos mbetur në klasë. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë, do të zërë në çdonjërin prej testeve plot 40 për qind të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë do të ketë 20 për qind hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual.