Skandal në Britani, Dukesha Ferguson shet takime me princin
Kërkoi gjysmë milion sterlina për “të shitur” një takim me të shoqin, princin Andrea, djali i dytë i Mbretëreshës Elisabeta. Një skandal ka tërhequr në llumë edhe dukeshën e Jorkut, Sarah Ferguson, e cila prej shumë vitesh është e ndarë nga i shoqi me të cilin ka dy vajza, princeshat Euxhenia dhe Beatris. Zbulimin e këtij skandali e bëri një nga gazetat më prestigjioze të skandaleve në Britani “News of the World”, pronë e Rupert Murdoch, editori me i madh në botë, me 3 milionë kopje të shitura mes gjithë gazetave të së dielës në Britani. “News of the World” dërgon gazetarë provokues aty ku ka sinjalizime se mund të ketë skandal, dhe të maskuar si persona të tjerë ata takojnë persona të famshëm dhe regjistrojnë e filmojnë të gjithë bisedën me ta. Kësaj radhe gazetari u hoq si biznesmen që kërkonte të hynte në kontakt me princin Andrea për të kërkuar favore që do ta ndihmonin në biznesin e tij. Kështu ai iu afrua dukeshës Sarah Ferguson dhe i ka kërkuar ta njihte me ish bashkëshortin e saj. E ka takuar dy herë në një hotel në Nju Jork dhe në një restorant në Londër. Ajo ka pranuar me entuziazëm. Shuma që ajo deshi për të siguruar takimin ishte 500 mijë sterlina, rreth 600 mijë euro. Andrea është edhe përfaqësuesi special britanik për tregti. Pas shumës marramendëse, më pas Ferguson kishte pranuar ta prezantonte biznesmenin me princin për 40 mijë dollarë, duke thënë se Princi Andrea do të ndihmonte atë për të rregulluar marrëveshje fitimprurëse tregtare. Sipas “News of the World”, ish bashkëshorti i saj nuk ka qenë në dijeni të marrëveshjes.