E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX refuzon ligjshmërinë e strukturave paralele në Kosovë



Zyrtarët e EULEX-it nuk do ta njohin rezultatin e zgjedhjeve që do të mbahen për administratorët e veriut të Mitrovicës. Kanë mbetur edhe shtatë ditë para zgjedhjeve lokale në veri të Mitrovicës, të cilat organizohen nga Serbia, si sfidë për institucionet e Kosovës. Autoritetet në Kosovë, por edhe ato ndërkombëtare i kanë quajtur të paligjshme këto zgjedhje, por nuk kanë paralajmëruar të ndërmarrin asnjë hap për t’i penguar ato. Sipas analistëve në Kosovë, autoritetet e vendit i kanë mekanizmat për t’i penguar zgjedhjet, por ende mungon vullneti politik. Por zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë mekanizma për të vepruar në veri. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se, “sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndërhyhet në këto zgjedhje, sepse ende nuk kemi përfituar mjaft në sundimin e ligjit në atë pjesë”. Opozita në Kosovë kërkon nga institucionet e Kosovës që ta zbatojnë Kushtetutën edhe në veri dhe t’i pengojnë zgjedhjet serbe. Ndërkohë subjektet serbe në veri e kanë intensifikuar fushatën elektorale. Pjesa më e madhe e partive politike serbe marrin pjesë në këto zgjedhje me përfaqësuesit e tyre: DS, DSS, SNS, G17, SPS, PUPS, JS, Lëvizja për Mitrovicën e Kosovës, por edhe grupe të tjera lokale. Serbët në veri, ndryshe nga bashkëkombësit e tyre në pjesët e tjera të Kosovës, i kanë bojkotuar në tërësi zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të organizuara nga Prishtina zyrtare. Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes tha se misioni i BE-së nuk i njeh strukturat paralele dhe kjo është arsyeja që këto zgjedhje nuk do të njihen. Ajo se EULEX-i do të vazhdojë bashkëpunimin me liderët e komunitetit. Ka gjithsej 20,366 votues të regjistruar në Mitrovicën veriore ku më 30 maj do të hapen 26 qendra votimi. Një koalicion SRS-DSS ka qenë në fuqi pas zgjedhjeve të fundit të majit 2008, por koalicioni nuk zgjati shumë dhe Beogradi e shkriu asamblenë e Mitrovicës më 24 dhjetor 2009, duke lënë në fuqi një administrim të përkohshëm. Zgjedhjet e 30 majit në veri të Mitrovicës, janë të dytat që Serbia i organizon në këtë qytet që pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›