Rizbulimi i Midhat Frashërit
Pjesë të zgjedhura të veprës së Mid’hat Frashërit i jepen lexuesit përmes përmbledhjes “Elita shqiptare”. Esse, analiza politike, ekonomike, tregime, novela, fjalë të urta zbulojnë përmasat e një figure të anatemuar nga diktatura
“Të endurit matet me kut, lëndët me okë dhe koha me ngjarje”. Kështu do të shkruante vite të shkuara Mid’hat Frashëri, i cili lindi dhe jetoi në kohëra me ngjarje të mëdha. Kryetar i Kongresit të Manastirit, delegat i Kosovës në Kuvendin e Vlorës (1912), firmëtar i Pavarësisë, ministër i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e Princ Vidit, ministër në qeverinë e Turhan Pashës, anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, mandej përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve. Ambasador i Shqipërisë në Greqi, ambasador i kulturës shqiptare në Europë. Por edhe autor i shumë botimeve në gjuhën shqipe e gjuhë të huaja. Prej vitesh studiues të ndryshëm shqiptarë, po mundohen ta rikthejnë Mid’hat Frashërin (Lumo Skëndon) mes këtyre ngjarjeve të mëdha, të cilat iu mohuan gjatë viteve të diktaturës, për shkak të bindjeve politike. Një përpjekje për t’i dhënë vendin që i takon është edhe botimi i vëllimit “Elita Shqiptare”, një përmbledhje me veprën e shkruar të Frashërit. Janë esse, studime, artikuj, analiza, portrete, letërkëmbime, kujtime, mbresa udhëtimesh, skica, tregime, madje dhe fjalë të urta. Të gjithë në një përmbledhje voluminoze prej 580 faqesh, të përzgjedhura nga studiuesi Uran Butka dhe botuar nga shtëpia botuese “Plejad” me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, studiues nga Shqipëria e Kosova diskutuan rreth librit, por edhe figurës së Frashërit, e cila edhe pas viteve të diktaturës, nuk është shfaqur në përmasat e vërteta. Po, është folur për bibliofilin, i cili zotëronte një bibliotekë prej 40 mijë titujsh. Është ngritur një bibliotekë me emrin “Lumo Skëndo”, ndahet edhe një çmim për botuesin më të mirë, me këtë emër, por vepra mbetet ende e pa zbuluar. Çka studiuesit nënvizonin, ishte mungesa e çdo lloj informacioni rreth kësaj figure poliedrike në përmbajtjen e librave shkollorë. “Është pjekur koha dhe interesi i lexuesit për një vepër të tillë”, - thotë botuesi Ndriçim Kulla. “Elita shqiptare” zbulon patriotin dhe filozofin, diplomatin dhe shkrimtarin. Nuk ka tema të mëdha, që të mos jenë prekur nga Frashëri. Ai shkruan për lirinë, punën, shpresën, gjuhën, fenë, kombin… Shumë i interesuar është për çështjen e gjuhës shqipe, për unifikimin e gjuhës letrare, pastërtinë e saj. I vrisnin veshët dialogjet mes shqiptarësh, ku shqipja përzihej me fjalët turke, apo greke. “Edhe m’u kujtua që janë mjaft shqiptarë që e kanë për mburrje të përziejnë shumicë fjalësh të huaja, kur kuvendojnë shqip. Myslimanët që kanë nxënë turqisht, trazojnë fjalë nga kjo gjuhë, të krishterët që kanë mësuar greqisht, trazojnë gjuhën e tyre me fjalë të marra nga gjuh’e Athinës…”, - shkruan në vitin 1905, Lumo Skëndo në “Kalendari Kombiar”. E duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas një shekulli. Në këtë përmbledhje shfaqet edhe atdhetari, i cili thotë fjalën e tij në ngjarje të mëdha, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve. “Faik Konica kishte të drejtë. Mid’hat Frashëri ishte bërë qysh në atë kohë misionar i shqiptarizmës dhe i veprimit mëmëdhetar. “Shqiptarë, - bënte thirrje ai më 1899, - të kemi bashkim, të duamë njëri- tjetrin, të zgjuhemi, të punojmë me vullnesë dhe ahere do të jemi të lirë, të lumtur dhe fatbardhë! Përndryshe do të humbasim”. Në fund të shekullit të 19-të ai shfaqet bindshëm edhe si një ekonomist- politik i thellë, te studimi i vitit 1900 “Sa e varfër është sot Shqipërija dhe si mund të shpëtojë nga kjo varfëri”10), si edhe punime të tjera shkencore në fushën e ekonomisë-politike, duke u bërë një Adam Smith i Shqipërisë”, - thotë studiuesi Uran Butka, në studimin 100-faqësh mbi veprën e Frashërit, e cila shfaqet në gjithë dimensionin e saj.