Gigs: Lojtarët duhet të rifitojnë besimin
LONDER- Rajan Gigs është nga të paktët që ka luajtur në finalen e vitit 1999 në Barcelonë ndaj Bajernit. Veterani i Mançester Junajtid e di mirë sesi mundet një skuadër gjermane, por në prag të sfidës së sotme kërkon nga shokët e skuadrës që të kenë më shumë besim te vetja, ndryshe nga paraqitja me çelsin ditën e shtunë. Do të mungojë Uejn Runi, por sipas uellsianit, asgjë nuk është e pamundur. “Duke humbur dy ndeshje radhazi, natyrisht që besimi te lojtarët nuk rritet, - deklaroi Gigs për Sky Sports. – Kur sheh përqark në dhomat e zhveshjes dhe sheh lojtarët që të rrethojnë, mbushesh me optimizëm, sepse ka shumë talente. Kemi pësuar dy humbje, por për fat kemi një ndeshje të radhës që të mund të rregullojmë sezonin tonë. Jam i sigurt se mund t’ia dalim”, shtoi mesfushori i Mançester Junajtid. Humbja 2-1 në “Allianz Arena” erdhi pas një forme jo të mirë të “Djajve të Kuq”, të cilët në pjesën e dytë toleruan shumë. “Bajerni nuk ishte më mirë nga sa mendonim ne, sepse luajtëm para fillimit të sezonit dhe e dinim se ata ishin skuadër e mirë, - u shpreh Rajan Gigs. – Ata kanë shumë forcë dhe lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Gjithmonë duhet t’u ruhesh këtyre skuadrave, sepse ato kanë shumë eksperiencë në Champions League”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)