E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristaq Skrami: Ja premierat e Teatrit Kombëtar për vitin 2010

Kristaq Skrami, drejtori i Teatrit Kombëtar në Tiranë, ka nxituar të tregojë të rejat e sezonit të ardhshëm, i cili fillon me muajin janar të vitit që vjen dhe përfundon në muajin maj të po këtij viti. Para mediave kreu i këtij institucioni bën me dije se thuajse ka nisur puna për premierën "Elektra" nga Sofokliu, e cila pritet të ngjitet në muajin shkurt në TK nën regjinë e Adonis Filipit. Po ashtu, në muajin janar do të nisë puna për një tjetër premierë, e cila parashikohet të ngjitet në skenë në muajin mars. Bëhet fjalë për veprën e shkruar prej italianit Lugi Pirandello "Gjashtë personazhe kërkojnë autor", e cila do të vijë në skenë nën drejtimin e regjisorit Mehmet Xhelili. Pas kësaj, do të nisin përgatitjet për vënien në skenë të një drame shqiptare, e cila pritet të jetë gati për publikun rreth muajit prill. Drama shqiptare do të përzgjidhet në kohën e duhur, duke pasur parasysh prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar. Në muajin maj është parashikuar të vihet në skenë "Hamleti" i Shekspirit. Kësaj here jo një regjisor shqiptar, por regjisori grek Jorgo Qimulis është angazhuar për ta sjellë veprën para publikut. Muaji maj do të sjellë një sërë aktivitetesh festive në kuadër të krijimit të Teatrit Kombëtar. Po atë muaj do të kthehet një tjetër aktivitet i rëndësishëm teatror. Bëhet fjalë për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit me pjesë kombëtare. Ndërkaq, në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare, drejtori Skrami ka përmendur pjesëmarrjen e veprës "Alegreto Albania" të regjisorit Altin Basha në bienalen teatrore "New Plays from Europe", e cila më parë është njohur me emrin "Bienalja Teatrore e Bonit". Aktiviteti organizohet në Visebaden të Gjermanisë. Kjo pjesëmarrje vjen në kuadër të bashkëpunimit me ETC-në për shkëmbimin e vlerave artistike dhe promovuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›