E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vepër surreale në skenën shqiptare

Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka do të ngjiten më në fund në skenë për të përcjellë para publikut një nga kryeveprat e dramaturgjisë amerikane të shekullit XX, "Kush ka frikë nga Virginia Woolf" shkruar nga Edward Albee. "Kush ka frikë nga Virginia Woolf", me regji të Kushtrim Bekteshit, do të vijë premierë në Teatrin Kombëtar në Tiranë duke filluar prej datës 17 dhjetor. Duket se kësaj here gjithçka është gati dhe se asnjë e papritur nuk do ta ndalë vrullin e stafit realizues dhe aktorëve për të ngjitur në skenë këtë vepër kaq të pritur e të përfolur sidomos për gjithë sa ka kaluar gjatë kohës parapërgatitore (mjaft të përmendim incidentin e fundit kur aktorja Eftiola Laçka nxori shpatullën gjatë provave në skenë pak ditë para premierës që ishte menduar të shfaqej rreth dy javë më parë). Drejtori Kristaq Skrami e ka vlerësuar si një prej bashkëpunimeve më ambicioze të Teatrit Kombëtar, duke pasur parasysh përzgjedhjen e autorit, regjisorit, bashkëpunimi me skenografen Ljerka Hribar, kostumografen Anila Zajmi Katanolli, e padyshim edhe aktorët, të cilët, sipas Skramit, i përshtaten shumë mirë realizimit të kësaj vepre. "Natyrisht që ky bashkëpunim dhe kjo premierë mendojmë se do të shënojë një arritje tjetër të Teatrit Kombëtar", tha drejtori Skrami gjatë konferencës për shtyp para premierës së dramës. Ndërkaq, regjisori nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi, ka treguar mbi personazhet dhe këndvështrimin regjisorial të veprës. "Vetë autori ka krijuar personazhe shumë komplekse. Qëllimi ynë ka qenë të futemi sa më thellë dhe t‘i sjellim sa më të vërtetë në skenë. Vepra flet për njerëz që kanë frikë ta jetojnë jetën pa iluzione. Njerëz, të cilët ikin nga realiteti dhe ndërtojnë raportet e tyre në një botë iluzore. Në këtë kuptim ne jemi munduar të jemi sa më afër asaj që ka shkruar autori", komenton regjisori. Konceptimi regjisorial i Kushtrim Bekteshit është bazuar më tepër në atë që këto raporte ndërtohen në botë një iluzore. "Edhe pse vepra është realiste, ne e kemi sjellë në një konceptim më surrealist. Dhe kjo është e veçanta e vënies skenike të kësaj vepre. Në botë, në pjesën më të madhe, të paktën për aq sa di unë, është vënë në skenë me një dekor realist e me një konceptim e lojë aktorësh po aq realistë. Këtu konceptimi regjisorial ikën nga realizmi. Sjell elemente surrealiste, duke filluar që nga konceptimi i dekorit, që është menduar të jetë i tejdukshëm, një botë fluide, e cila gati-gati nuk ekziston", thotë më tej ai. E duke iu referuar incidentit të aktores Eftiola Laçka, për shkak të të cilit premiera u shty rreth dy javë, Kushtrim Bekteshi shton se kjo vonesë nuk është parë si një mundësi për të rishikuar veprën. Sipas tij, nuk ishte aspak e nevojshme, sepse tashmë kishin arritur në një rezultat të mirë. Aktorja Eva Alikaj, e cila do të interpretojë personazhin e Martës në shfaqje, e quan një fat pjesëmarrjen në vepër. Edhe një herë ajo ka përsëritur para mediave se ky ishte një prej roleve për të cilin vërtetë është lutur të ishte i saji një ditë. "Unë sa herë e kam lexuar shfaqjen dhe kur e kam parë në skenë jam lutur të më jepej mundësia ta luaja këtë rol. Tani jam e kënaqur, mbi të gjitha sepse po e interpretoj në Teatrin Kombëtar", thotë ajo. "Ndërtimi i rolit të Martës ka qenë një luftë. Unë jam përpjekur dhe kam luftuar shumë, sepse gjithë kjo shkëputje e madhe e imja nga teatri, vendimi radikal për t‘u kthyer përfundimisht në Shqipëri, ishte si të hidhesh në ujë të ftohtë pa pasur fare ngrohje. Kjo më ka bërë të kem disa probleme dhe kam dyshuar, kam pasur edhe frikë, por tani jam në një pikë që mendoj se kam arritur atë që ka kërkuar regjisori, atë që kërkon roli dhe atë që kam imagjinuar. Mendoj se për mua ky do të jetë një rol i mirë", shprehet Alikaj. Eftiola Laçka ka treguar gjithashtu për personazhin e saj, i cili është shumë kompleks. "Ajo vihet përballë një atmosfere të cilën nuk e përballon dot, për shkak të mentalitetit. Duke pasur parasysh edhe mënyrën se si është rritur ky personazh, atëherë arrin në vetëshkatërrim, sepse sa më shumë përpiqet të bëhet pjesë e kësaj atmosfere, aq më shumë del false dhe kupton se nuk mund të jetë pjesë e saj", vijon ajo.

"Kush ka frikë nga Virginia Woolf", që nga premiera e parë në Billy Rose Theatre-Broaday, Nju Jork në vitin 1962 e deri më sot, kudo që është vënë në skenë ka ngjallur shumë debate, të cilat prekin thelbin e shoqërisë - familjen. Suksesi i kësaj vepre kryesisht qëndron në përmbajtjen e saj tejet të guximshme dhe në trajtimin e temave (shpesh të konsideruara si tabu) që janë shumë aktuale për kohën, siç janë: imazhi i dyfishtë në bashkëshortësi - imazhi i gënjeshtërt që paraqitet para botës dhe ai i vërteti që ekziston brenda katër mureve; frika për t‘u ballafaquar me të vërtetën dhe ikja nga realiteti, shpresat dhe dështimet në një lidhje bashkëshortore etj. Xhorxhi dhe Marta sapo janë kthyer nga një mbrëmje e organizuar nga babai i Martës (rektori i universitetit). Marta, për ta vazhduar festën, ka ftuar miq, një profesor të ri (Nikun) dhe gruan e tij (Hanin), të sapoardhur në qytetin universitar. Xhorxhi dhe Marta në thelb ndiejnë shumë për njëri-tjetrin, mirëpo zhgënjimet që u kanë ndodhur në jetë, pamundësia për të pasur fëmijë dhe sidomos mossuksesi i Xhorxhit për t‘u ngritur në pozitë në universitet e ka kthyer lidhjen e tyre martesore në një arenë të vërtetë lufte. "Kush ka frikë nga Virginia Woolf" do të ngjitet në skenë duke filluar nga data 17 dhjetor, për të vazhduar në datat 18, 19 dhe 20 të po këtij muaji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›