Propozohet një organizim i ri i administratës
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ngritur një grup pune për të hartuar strukturën e re, sipas së cilës propozohet të funksionojë ky institucion. Ndërkohë që institucionet e varësisë bëjnë bilancet e fundvitit dhe në një farë mënyre raportimet e arritjeve apo edhe mosrealizimeve, në të njëjtën kohë po mendohet për një riorganizim të institucionit ku hartohen politikat kulturore, të turizmit apo edhe të sportit. Kështu, sipas strukturës së re, do të ketë ndarje të disa drejtorive ekzistuese (në përbërje të të cilave kanë qenë disa sektorë). Sipas kësaj strukture të re, e cila fillimisht do të propozohet në Departamentin e Administratës Publike, e nëse merr miratim prej këtej do të shqyrtohet në Këshillin e Ministrave, numri i punonjësve të kësaj ministrie do të rritet në 103. Si pasojë, nga dy drejtorë të përgjithshëm ekzistues në MTKRS do të ketë katër të tillë dhe poste të reja që lindin si pasojë e ndarjes së drejtorive ekzistuese. Edhe në të shkuarën, Ministria e Kulturës ka pasur ndërrime të vazhdueshme të strukturës së saj administrative, kryesisht pas largimit të një ministri dhe emërimit të një të riu.