E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fabulous" do të çelet nesër për publikun kosovar

Pas disa ekspozitash ndërkombëtare të dy-tre viteve të fundit, piktori Helidon Haliti çel një ekspozitë personale në Muzeun e Kosovës. "Fabulous" titullohet ekspozita që do të çelet nesër, në orën 18.00 për publikun kosovar. "Piktori Helidon Haliti di të marrë dramë nga ngjyrat dhe t‘u japë atyre një ndodhi të shtangur, natyrisht shpirtërore, ndërsa shpirtit, trazimeve të tij, u jep ngjyrën e duhur, ato të çuditshmet, të mendimit. Haliti e tejkalon natyrën, duke e ribërë atë sipas një harmonie të vetën, ku zotërohet edhe çrregulli, ndërkaq ngjyrat, pasi të godasin, lëshojnë zhurmëtirë, zë largësie, borërimi, hijesh, resh, shteg drite, frushullimë rrote, qerthull vetmie, hapa, potkonj balade, që avitet dhe e beson. Helidon Haliti ka qenë piktor që pa lindur, poet i ngjyrave të tij", shkruan shkrimtari Visar Zhiti në tekstin që e shoqëron këtë ekspozitë. I kthyer prej disa vitesh në Tiranë, pas një largimi në Greqi, ku ishte përqendruar edhe krijimtaria e tij, Haliti është prezantuar për publikun me disa ekspozita. Pikturat e tij janë pjesë e koleksioneve private në mbarë botën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›