E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ginga”, shpartallohet rrjeti i trafikut të klandestinëve

 

BERAT - Policia e Beratit finalizoi dje operacionin “Ginga”, duke arrestuar gjashtë trafikantë klandestinësh. Pas dy muajsh hetime dhe përgjime të personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, u arrit të dokumentohej veprimtaria e tyre e për pasojë të çohen përpara përgjegjësisë ligjore. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me prokurorinë në tre rrethe të jugut, Berati, Fieri dhe Gjirokastra, ndërkohë që mësohet se tre persona të tjerë, të identifikuar si të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme janë shpallur në kërkim. Sipas policisë, ky rrjet trafiku rezulton të jetë më i madhi në jug të vendit. Ata trafikonin klandestinë drejt shtetit fqinj kundrejt një vlere prej 2500 eurosh. Nga hetimet e deritanishme rezulton që grupi i organizatorëve të ketë trafikuar drejt Greqisë 80 persona. Policia bëri të ditur dje se vuri në pranga me akuzën e “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, Ëngjëll Veizaj, 46 vjeç nga Gjirokastra, Spartak Cacaj, 37 vjeç nga Gjirokastra, Edvin Qato, 29 vjeç nga Berati, Asqeri Mehmeti 42 vjeç nga Fieri, Romeo Hajdini, 28 vjeç nga Berati dhe Tauland Hysi, 21 vjeç nga Fieri. Ndërsa në kërkim janë Leonard Hysi, 43 vjeç nga Fieri, Altin Çepele, 20 vjeç nga Rroskoveci dhe Agron Ymeraj, 43 vjeç nga Berati. Sipas Drejtorit të Policisë, Benard Caushi, pasi janë marrë sinjalizimet për këtë veprimtari kriminale, e cila e kishte qendrën e saj në Berat, janë vënë në lëvizje seksioni i luftës kundër trafiqeve mbështetur dhe nga policia kriminale dhe oficerët gjyqësorë të prokurorisë. Blutë u organizuan mbrëmjen e së mërkurës duke bashkëpunuar edhe me policinë e Fierit dhe të Gjirokastrës. Operacioni nisi rreth orës 18:00 dhe përfundoi në orën 21:00. Oficerët e policisë u nisën në drejtim të Fierit, Gjirokastrës, Rroskovecit, si edhe në Berat, ku personat e dyshuar për trafik u ndaluan nëpër banesat e tyre. Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë, për të mos u dhënë hapësirë largimi personave për të cilët ishin firmosur urdhër-arrestet. Linjat e trafikut sipas policisë ishin Berat – Fier – Gjirokastër, Lushnjë – Fier – Gjirokastër, Lushnjë – Vlorë – Sarandë dhe Fier – Vlorë – Sarandë. Në cilësinë e provës u sekuestruan tre taksi dhe një furgon, që përdorej për transportin e klandestinëve.                   d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›