Ikin pronarët, punëtorët dy muaj pa rroga
KORÇE - Prej dy muajsh, 70 punëtorë të prodhimit të veshjeve dhe çantave në Korçë nuk janë paguar. Sikur të mos mjaftonte kjo, pronarët e këtyre firmave, shqiptaro-greke, së fundmi i kanë kyçur mjediset e tyre pa u dhënë asnjë sqarim punonjësve. Këta të fundit ankohen se pronarët e firmës “Dag”, që prodhon veshje dhe “Pagagin”, që prodhon çanta, nuk u kanë dhënë asnjë përgjigje atyre për një datë të saktë, se kur ata do të mund të paguhen për punën e kryer. Në këto kushte punëtorët u janë drejtuar organeve të pushtetit vendor dhe sindikatës së pavarur dega Korçë, ku kanë kërkuar mbështetje. Gjatë protestës së djeshme ata hodhën edhe dyshimin se nuk u janë paguar sigurimet shoqërore, gjë që do t’u siguronte atyre asistencë për një vit. “Ne duam pagat se jemi familjarë e kemi fëmijë për të ushqyer e gëzuar se edhe ne duam të festojmë festat që po vijnë”, tha njëra nga punonjëset e këtyre firmave. Ndërsa Natasha Lubonja, kryetare e sindikatave të pavarura u shpreh se “institucionet që kontrollojnë këto biznese nuk kanë qenë korrektë dhe kanë lejuar që këto firma shqiptaro – greke të mashtrojnë punëtorët e tyre. Sot kam kërkuar që të organizoj një takim me pronarët e këtyre bizneseve, inspektoratin e punës dhe prefekten për t’i dhënë një zgjidhje problemit që është krijuar”. j.gj