Bode: Ulëm taksat, por rritëm të ardhurat
Viti 2008 e renditi Shqipërinë si një ndër vendet me ritmin më të lartë të reformave në administratën tatimore. Kështu është shprehur dje kreu i tatimeve Arben Sefgjini, gjatë konferencës së II rajonale “Modernizimi i administratës tatimore-kyç i reformave të suksesshme të çdo vendi”. Madje sipas tij këto reforma kanë synuar rritjen e besimit në këtë institucion, trajtimin e tatimpaguesve në mënyrë të barabartë, ndershmëri, standardizim të punës, lehtësimin e përdorimit të teknologjisë moderne. Sipas tij, për 11 mujorin e këtij viti, të ardhurat tatimore rezultojnë 20 % më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa për Ministrin e Financave, qeveria ka lehtësuar barrën fiskale të biznesit, duke ulur taksat, gjë e cila është shoqëruar edhe me rritjen e të ardhurave, pasi është rritur numri i tatimpaguese. “Vetëm në 3 vitet e fundit, të ardhurat në buxhet janë rritur me 3.2 miliardë USD”. “Në përqindje në raport me PBB, të ardhurat e buxhetit arrijnë në vitin në vijim 28 % e PBB nga 24 % që kanë qenë 3 vite më parë edhe pse taksat janë përgjysmuar”, tha Bode. Ai theksoi se zgjerimi i bazës tatimore dhe ulja e taksave përbën një instrument efikas për të luftuar informalitetin, për të dominuar evazionin fiskal dhe korrupsionin në fushën e taksave. Gjatë deklaratës së djeshme, ministri nuk la pa përmendur edhe rritjen e lartë ekonomike të vendit. “Fakti që rajoni ynë vazhdon me një rritje ekonomike më të lartë, krahasuar me vendet e tjera, fakti që të gjithë vendet e rajonit janë shumë të ndjeshëm ndaj politikave fiskale dhe praktikave tatimore, aq sa në një farë mënyre jemi futur në një garë pozitive me njëri - tjetrin për të adoptuar nivele të ulëta taksash, dëshmon sensibilitetin e politikave fiskale dhe të administrimit tatimor në raport me politikat për zhvillimin ekonomik në secilin prej vendeve tona”, theksoi ai.