Alarmi, Vjosa rrezikon 12 fshatra
FIER/ MAJLINDA RAMA
Reshjet rrezikojnë përmbytjen e 12 fshatrave të qarkut të Fierit. Vetë prefekti Shahin Bejdaj u ka bërë thirrje pasditen e djeshme banorëve të zonave që jetojnë pranë lumenjve Vjosë, Seman e Gjanicë të largohen nga shtëpitë e tyre pasi parashikohen përmbytje të mëdha. Njoftimi ka ardhur nga kreu i prefekturës, grupet e emergjencës së të cilës u vendosën pothuajse në të gjitha pikat e rrezikuara nga përmbytja. “U bëj thirrje banorëve të marrin masa për përmbytjet që i kanosen qarkut të Fierit dhe veçanërisht zonave pranë lumenjve. Duke parë fryrjen e lumenjve, sidomos të lumit Vjosë, banorët duhet të jenë të përgatitur për një përmbytje të mundshme të përmasave edhe me të mëdha se ajo e dhjetë ditëve më parë”. E ndërsa vetë prefekti ka lajmëruar banorët për rrezikun që u kanoset, shtabi i emergjencës ka shkuar pranë shtretërve të lumenjve. Specialistë të shtabit janë shprehur se gjithë kjo situatë ka ardhur pas reshjeve të vazhdueshme që kanë rënë gjatë natës dhe paradites së djeshme, jo vetëm në qarkut ne Fierit por edhe me gjerë. “Si pasojë e reshjeve të rëna në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës, parashikohen përmbytje të përmasave të mëdha. Shirat që vazhdojnë prej dy ditësh në zonën e jugut dhe në burimet e Vjosës kanë bërë që ai të vërshojë me vrull nga shtrati i tij në territorin e Qarkut të Fierit, duke e rrezikuar seriozisht atë nga përmbytjet. Evakuimi i banorëve do të ishte masa më e sigurt për të mos u rrezikuar jeta e banorëve”, pohoi dje inspektori i sektorit të emergjencave civile pranë prefekturës së qarkut Fierit, Viron Balla. Të ndodhur pranë shtratit të lumit Vjosë, në urën e Mifolit që ndodhet farë pranë qytetit të Fierit, specialistë të shtabit të emergjencës kanë deklaruar se niveli i ujit po rritet nga momenti në moment dhe se centimetrat për të kaluar pikën kritike janë fare të pakët. Vetë prefekti i qarkut Bejdaj ka deklaruar se personalisht ka komunikuar me prefektin e Gjirokastrës e Përmetit ku dhe reshjet janë më të dendura. Fshatrat e rrezikuar, sipas Bejdajt janë ata të zonës e Mallakastrës, Levanit, Frakullës, për të përfunduar në zonat e banuara që shtrihen pranë lumit Gjanicë. E ndërsa alarmi është dhënë, banorët, të cilët prej pak kohësh janë kthyer në shtëpitë e tyre, ngrenë shqetësimin se ku do të kalojnë natën. “E morëm vesh që duhet të largohemi nga shtëpitë pasi parashikohen përmbytje të mëdha po ku do të shkojmë? Ne vetëm tre ditë kemi që u kthyem në shtëpi ku na u shkatërruar gjithçka dhe humbëm me miliona lekë. Shumë fqinjë nuk janë kthyer në shtëpi por edhe ne do të ikim tani që u dha alarmi për evakuim. Kemi mbetur në qiell të hapur dhe në mes të katër rrugëve. Unë kam ngritur gjithë plaçkat e do të shkoj te motra. U shkatërruam ekonomikisht dhe moralisht”. E ndërsa banorët kanë filluar të largohen nga shtëpitë e tyre duke marrë me vete gjithë çka kanë mundur, forca të shumta policie dhe zjarrfikëse janë shprehur të gatshëm për të ndihmuar banorët që po largohen nga shtëpitë e tyre. Situata kaotike ka startuar qysh prej orës 15:00 e banorët të përfshirë nga paniku kanë nisur të largohen, ndërsa në orët e mbrëmjes zona më e rrezikuar ishte Levani.