E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjadri: Digat mbi Drin kanë siguri absolute qysh në projektim

Një nga projektuesit kryesorë të hidrocentraleve të
Shqipërisë, inxhinieri i njohur Egon Gjadri thotë se siguria e tre
hidrocentraleve mbi lumin Drin është absolute. Zoti Gjadri, i cili për shumë
vite ishte drejtues i Institutit të Projektimeve, pohon se diga e
hidrocentralit të Fierzës mund të përballojë pesëfishin e ujërave që po mblidhen
aktualisht në atë liqen. Projektues i disa dhjetëra veprave energjitike, ai
theksoi se tërësia ujore e Shkodrës duhet ri-studiuar, dhe institucionet
shkencore të kësaj fushe duhen riorganizuar.

Zëri i Amerikës: Profesor Gjadri! Këto ditët e fundit të përmbytjeve në veriperëndim
të Shqipërisë, krahas shqetësimit të madh për shpërnguljen e mijëra banorëve ,
po zhvillohen debate të shumta edhe mbi sigurinë e veprave hidro-energjitike
mbi lumin Drin. çfarë mund të na thoni ju mbi këtë çështje shqetësuese për opinionin publik, si njëri
nga projektuesit kryesorë të hidrocentraleve të vendit?Egon Gjadri: Veprat janë të siguruara për kalimin e një plote me
përsëritje një herë në dhjetëmijë vjet, pra për një prurje shumë të rrallë. Kjo
është me një probabilitet përsëritje një herë në dhjetë mijë vjet. Në Fierzë
kjo plotë është 9 mijë e 600 metra kub ujë në sekondë. Duke qenë kuota e
kurorës së digës në 312 metra në Fierzë, aktualisht sasia e ujit atje është 292
metra lartësi, atëherë niveli i liqenit në Fierzë është rreth 20 metra më poshtë
se kuota e kurorës së digës. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.Zëri i Amerikës: Pra, projekti ka tolerancat me plus-minuset e veta. A mund të manovrohet
edhe në lartësi mbi 290 metra?Egon Gjadri: Edhe nëse vjen kjo plotë e madhe që thamë 9 mijë e 600
metra kub ujë në sekondë niveli i ujit në liqen mbërrin rreth kuotës 300 metra.
Nga 290 metra shkon në kuotën 300 metra. Por ngelet gjithmonë 12 metra poshtë
kreut të digës. Nga ana tjetër projekti ka parashikuar edhe një rast
rezervë. Qysh atëherë e kemi në pjesën e
parë të regullores në përshkrimin e veprave që, në rast se për një arësye ose
për një tjetërbllokohet tuneli numër 3 në kuotën 222 metra, që ka një portë 7 metra me 7, atëherë
plota e madhe e supozuar 9 mijë e 600 metra kub në sekondë kalon vetëm me
tunelin numër 4, që shkarkon edhe aktualisht maksimum 1 mijë metër kub, me 4
turbinat në punë që janë 500 metra kub me nivel uji maksimum 306,5 metra. Zëri i Amerikës: Profesor! Po thoni që edhe nëse porta numër 3 nuk do të
funksionojë, projekti ka parshikuar shkarkimin deri në 306 metra?Egon Gjadri: Po, po, është parashikuar në projekt. Kjo është një
llogaritje maksimale, nëse vjen plota 10 mijë vjecare me 9 mijë e 600 metra
kub, dhe jo më pastaj këto plota me 1 mijë e 500 metra 2 mijë metra kub në sekondë që janë
aktualisht. Këto janë parashikuar në projekt dhe janë zbatuar me ndërtim në
terren. Zëri i Amerikës: Sapo hyri viti i ri befas koinciduan disa plota të
njëpasnjëshme. Si do t'i vlerësoni kolegët tuaj më të rinj që menaxhojnë tani
KESH-in, që hapin dhe mbyllin portat, ose koordinojnë prodhimin me shkarkimet?Egon Gjadri: Punonjësit e KESH-it kanë një përvojë mjaft të gjatë. Dhe
kjo përvojë është transmetuar nga brezi në brez. Rregulloret janë të sakta dhe
nuk kanë pse të ndryshohen, sepse as në natyrë dhe as në hidrocentral nuk ka
ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Regullorja duhet të zbatohet me elasticitet duke
gjykuar rast pas rasti në mënyrë që edhe ana energjitke të plotësohet në
maksimum, pra të prodhohet sa më shumë, por pa cënuar sigurinë e veprave.Zëri i Amerikës: çfarë do të rekomandonit për tërësinë ujore të zonës së
Shkodrës?Egon Gjadri: Tërësia ujore e Shkodrës, ndoshta me introduktimin e
hidrocentralit të Bushatit, ka nevojë për një studim më të gjerë. Duhet
përfshirë edhe pjesa poshtë e Lezhës, përveç argjinaturave dhe kullimeve,
stacioneve të pompimit, dhe shumë punime janë bërë atje. Duhet përfshirë edhe
ajo ardhja e jashtëzakonshme të e ujit të detit për herë të parë, se ndoshta ka
të bëjë me ndryshimin e klimës, nevojitet pra, një kuadër më i gjerë studimi i asaj zone.Zëri i Amerikës: Ju lutem, në fund, cilat janë disa rekomandime tuaja
lidhur me mirëmenaxhimin e sistemit hidroenergjitik të Shqipërisë dhe
funksionimin e institucioneve shkencore të kësaj fushe, të cilat gjatë
tranzicionit janë trazuar dhe janë zvogëluar shumë?Egon Gjadri: është e nevojshme ekzistenca e një instituti të vogël ,
apo e një bërthame shkencore, jo projektuese por së paku studimore teknike.
Duhet kjo për të pasur një pikë referimi të gjithë; qeveria, KESH-i për diçka
madhore që mund të ndërmerret. Këtu mund të ishin grumbulluar një pjesë e
njerëzve që jetojnë ende, apo që janë shpërndarë në punë të ndryshme. Kjo
qendër duhet për të bërë vlerësime mbi gjendjen dhe projektet në perspektivë,
dhe kjo nuk i kushton shtetit shumë sesa do t'i jetë shtetit kjo. //rd//  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›