Gjahu mbi Sopën
Katër vjet e ka shijuar lirinë pa u penguar nga askush. Ka lëvizur edhe nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Besohet se disa herë e ka kaluar në mënyrë ilegale edhe kufirin me Maqedoninë. Me kapjen e tij është mbyllur kapitulli për arrestimin e shtatë personave, të cilët në vitin 2007 ishin arratisur në mënyrë të organizuar nga burgu i Dubravës.
Është ky Amir Sopa, i arrestuar nga Policia e Kosovës, të dielën. Në një rrëfim për Express, major Gazmend Hoxha, kryesues i Departamentit kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit në Policinë e Kosovës, ka treguar se si Sopa është arrestuar në Kaçanik.
Hoxha ka rrëfyer se tash e një vit, policia ka qenë duke punuar në mënyrë intensive për arrestimin e këtij personi, i kërkuar tash katër vjet. Sopa është arrestuar në një shtëpi në Kaçanik, pas një operacioni mirë të organizuar nga policia.
“Ai është arrestuar në një shtëpi që besohet se ishte braktisur nga njerëzit. Aty nuk banonte askush, përveç Amir Sopës”, rrëfen Hoxha.
Gjatë arrestimit ai nuk ka rezistuar, ndërkaq atij i është konfiskuar një armë pa leje dhe një telefon mobil.
“Është arrestuar pa asnjë telash, se nuk e ka pritur se do të arrestohet. Aksioni ka qenë i përgatitur mjaft mirë“, ka treguar Hoxha.
Arrestimi i Sopës është arritur falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, të cilët kohë pas kohe kanë njoftuar policinë për vendndodhjen e tij, por edhe si rezultat i punës operative që ka bërë Departamentit kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Operacioni për arrestimin e Sopës ka qenë i koduar me emrin “Gjahu i mprehtë”. Sopa është një ndër shtatë të ikurit nga burgu e Dubravës më 18 gusht të vitit 2007, kurse në burg ka qëndruar për shkak të veprës së terrorizmit.
Ai ishte arratisur nga Dubrava së bashku me Faton Hajrizin, Burim Bashën, Astrit Shabanin Xhavit Morinën, Ramadan Shytin dhe Lirim Sadikun. Gjatë arratisjes kishin përdorur edhe armë zjarri.
Të gjithë të arratisurit, më pas të arrestuar, akuzoheshin për vepra të rënda penale si rrëmbim, terrorizëm, vjedhje etj.
Sopa dhe të tjerët pasi kishin kaluar murin, ishin nisur në drejtim të disa të dyshuarve që ishin duke i pritur rreth 400 metra nga muri i jashtëm i burgut të Dubravës. Ata kishin filluar të shtënat me armë zjarri. Të shtatë të burgosurit atë kohë kishin arritur të ikin në këmbë.
Gjatë hetimeve intensive janë arrestuar pesë gardianë të burgut të Dubravës dhe katër të dyshuar të tjerë, që i kanë ndihmuar të arratisurit nga ana e jashtme dhe kanë shtënë me armë në momentin e arratisjes.
Po ashtu, janë kryer disa bastisje dhe konfiskuar vetura që dyshohet të jenë përdorur nga të dyshuarit.