Diplomati i aftë
Në nëntor të vitit 2006, i dërguari i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtissari, u përpoq që të ndryshojë për të mirë situatën në Kosovë. Ky obligim është i jashtëzakonshëm, në momentin kur ai po fluturonte nga një vend në tjetrin.
Në një shkresë diplomatike, të dërguar nga Ambasada amerikane në Vjenë për në Washington, më 15 nëntor 2006, theksohet se, “Ahtisaari po vazhdon përpjekjet e tij në disa kryeqytete të caktuara evropiane”.
Kosova po kërkon pavarësi dhe diplomacia botërore po kërkon me dëshpërim një rrugëdalje. Plani i Ahtisaarit është në hartim e sipër.
Në ndërkohë, në një pjesë krejt tjetër të botës, palët ndërluftuese në kuadër të luftës qytetare në Shri Lankë, qeveria dhe kryengritësit tamilë nuk janë as afër arritjes së marrëveshjes paqësore.
Më 6 nëntor, Robert O. Blake, ambasadori amerikan në kryeqytetin e Shri Lankës, Kolombo, dërgoi një shkresë, në të cilën sugjeroi se “atyre mund t’iu nevojitej një ndërmjetësues me përvojë, siç është Marti Ahtisaari (i cili me gjasë është tejet i zënë), për të bashkëpunuar me norvegjezët, për të marrë përsipër një rol më aktiv ndërmjetësues”.
Ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, është finlandezi dukshëm më i përmendur, në dokumentet që kanë rrjedhur nga State Departamenti amerikan. Në më shumë se 250 mijë dokumente, të publikuara nga Wikileaksi, emri i tij përmendet 1167 herë.
Kjo shifër është edhe më e madhe, nëse përfshihen edhe porositë, në të cilat emri i Ahtisaarit është shkruar apo shqiptuar gabimisht.
Ahtissari, Ahtissaari, Ahtisari, Antisarri... Diplomatët amerikanë duket se nuk e kanë qartësuar shkrimin dhe shqiptimin e emrit të Ahtisaarit deri në vitin 2006, kur Ahtisaari tashmë ishte emëruar për të dërguar për Kosovë.
Pjesa më e madhe e porosive kishin të bënin me Kosovën, por në shkresa u paraqit një pikturë fascinuese për laureatin e Çmimit Nobel për Paqe, Ahtisaarit: Acehu, Nepali, New Yorku, Brukseli...
Natyrisht, imazhi u pikturua nga këndvështrimi i amerikanëve dhe ai ishte tejet pozitiv.
Shkresat dokumentojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse faktin se ambasadorja Barbara Barrett kishte vizituar në vitin 2008 zyrat e Iniciativës për Menaxhimin e Krizave (CMI), organizatë kjo e kryesuar nga Ahtisaari, me seli në Helsinki.
Në bazë të shkresave diplomatike në lidhje me këtë rast, Ahtisaari kishte deklaruar se e ndien veten “gjysmëamerikan”, pasi që kishte jetuar në New York nga fillimi i vitit 1977, e deri në verën e vitit 1991.
Besimi në Ahtisaarin në Washington ishte i konsiderueshëm.
Kur përpjekjet e tij për Kosovën ishin në fazën më intensive, në vitin 2006, State Departamenti amerikan e kishte atë në listën e njerëzve që pranonin porosi.
Helsingin Sanomat ka mësuar për 90 dokumente për Kosovën, për të cilat u theksua në mënyrë specifike se Ahtisaarit do t’i lejohet t’i shohë ato.
Sidoqoftë, besimi nuk ishte i 100 për qind. Helsingin Sanomat ka njohuri për 20 raporte, në të cilat Ahtisaarit iu mohua qasja.
Porositë, të cilat Ahtisaari nuk kishte mundësi t’i shohë, shpesh kishin të bënin me Bashkimin Evropian.
Për shembull, në porosinë e dërguar nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, më 14 nëntor 2006, ishte përfshirë ankesa për vendimmarrjen e ngadalshme nga ana e BE-së.
Sipas vlerësimeve amerikane, Ahtisaari shpesh konsiderohej si negociator i ashpër.
Raportet e karakterizonin atë si një njëri, i cili “flet drejt” (shkresë nga Prishtina, më 13 qershor 2006), apo si negociator, i cili shtynte drejt murit pjesëmarrësit e tjerë në negociata.
Në momentin kur ushtria e Indonezisë hapi zjarr kundër pozicioneve të kryengritësve separatistë në Aceh, Ahtisaari u kërcënua se “do të tërheqë kandelën” nga negociatat paqësore, thuhet në shkresën e dërguar nga Helsinki më 18 prill 2005.
Kishte disa momente tejet intensive mes Ahtisaarit dhe serbëve, për të cilët humbja e Kosovës ishte tejet e dhimbshme.
Sipas raportit dërguar nga misioni i SHBA-së, OKB-së në New York (18 maj 2006), ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkovic ishte ankuar se shtetet perëndimore po e dënojnë Serbinë, për shkak të aksioneve të ndërmarra nga ish-kryesuesi serb, Slobodan Milosheviqi.
“Ahtisaari u përgjigj se serbët jetojnë në mohim - se kur njerëz të tillë, si Drashkovici deklarojnë se ‘ne nuk duhet të dënohemi për shkak të aksioneve të Miloshevicit’, ai përgjigjet, ‘nuk duhet as të shpërblehen’”.
Edhe Rusia ka pasur një qëndrim tejet kritik ndaj Ahtisaarit dhe kjo ndjenjë duket se ka qenë e ndërsjellë.
Në dhjetor të vitit 2006, Ahtisaari zhvilloi në Helsinki një bisedë me ambasadoren amerikane, Marilyn Ware.
Sipas porosisë, dërguar në lidhje me këtë takim, të zhvilluar më 8 dhjetor 2006, Ahtisaari kishte thënë se kundërshtimi rus dhe serb i pavarësisë së Kosovës do të ishte një indikacion për “vlera të pafat”.
Ahtisaari besonte se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i frikësohej “tkurrjes së botës ortodokse” dhe daljes në sipërfaqe të një “shteti të vogël mysliman në Ballkan”.
Ahtisaari u përball me kundërshtim rreth çështjes së Kosovës edhe nga disa shtete anëtare të BE-së.
Një shkresë e dërguar nga Madridi, më 17 tetor 2006, rrëfen se si një zyrtar i lartë nga radhët e Ministrisë së Jashtme të Spanjës iu ankua një diplomati amerikan në lidhje me Ahtisaarin.
Ne bazë të kësaj shkrese të datës 17 tetor 2006, zyrtari spanjoll kishte karakterizuar Ahtisaarin si një njeri, i cili dëshiron që të lëshojë Kosovën nga dora, në mënyrë që mos të jetë i pranishëm, “nëse ndodh që t’i shpërthejë në fytyrë pas një viti”.
Spanja ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.
Në qershor të vitit 2008, Ahtisaari i tha ambasadores Barrett se ai ka më shumë kërkesa për ndërmjetësim, sesa që ka kohë që të fillojë të merret me to.
Ahtisaari përmendi Shri Lankën dhe kurdët në Irak, si fusha të mundshme në të cilat mund të kërkohet ndërmjetësimi i tij.
Aty ishte edhe Myanmari, apo Burma, vend ky nën pushtet ushtarak, i goditur nga një stuhi ekstreme.
Barrett raportoi se nga Ahtisaari ishte kërkuar që të “hartojë një raport, në përkrahje të punës së të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm. Ai nënvizoi se është biseduar që ai të takohej privatisht me gjeneralët, pa e bërë publik një takim të tillë”.
Nuk është zbuluar se a ka bërë Ahtisaari vërtet një vizitë të tillë.
Përktheu dhe përshtati: Arsim Buxhovi