E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith korrigjon mediat

Nga Express më 14 shkurt 2011 në ora 15:12

Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë ka sqaruar se Pieter Feith, nuk ka deklaruar se njerëzit nën dyshime ose nën çfarëdolloj hetimi do të duhej të përjashtoheshin nga postet qeveritare në Kosovë.

“Në hyrjen për faqen e internetit të Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe, të shkruar nga një gazetar që nuk ka qenë i pranishëm në intervistë, pretendohet se ICR-ja ka thënë se njerëzit nën dyshime ose nën çfarëdolloj hetimi do të duhej të përjashtoheshin nga postet qeveritare në Kosovë. Në fakt, ICR-ja ka thënë se anëtarët e Qeverisë së ardhshme të Kosovës do të duhej të kenë integritetin më të lartë moral, duke iu përgjigjur pyetjes rreth rekomandimit të mëparshëm që individët ndaj të cilëve është ngritur padi ose të cilët janë nën hetime, të mos mbajnë poste qeveritare”, thuhet në njoftim.

“Në riraportimin pasues të intervistës në Tanjug, B92, KTV, TV Klan Kosova dhe në disa gazeta të përditshme, pretendohet se ICR-ja kishtë thënë se është me rëndësi që udhëheqësit politikë të dyshuar për tregti me organe njerëzore të mos zgjidhen në institucionet e reja të Kosovës. Në intervistë, ICR-ja në fakt kishte rideklaruar pikëpamjen e tij se çështjet e ngritura nga raporti i Dick Marty-it duhet të merren seriozisht dhe të hetohen me shpejtësi. Megjithatë, nuk u diskutua në mënyrë specifike për supozimet në këtë kontekst”, vlerëson ICR-ja duke i ftuar mediat të raportojnë nga burime parësore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›