E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK pajtohet me kandidaturën e Pacollit për president

Nga Express më 14 shkurt 2011 në ora 14:50

(E plotësuar)Pas tre orë debati, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës të hënën është pajtuar që të hyjë në koalicion me Aleancën Kosova e Re, duke ia besuar postin e presidentit, kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli. Vendimi i Këshillit Drejtues të PDK-së, pritet të implementohet nga Kryesia e partisë në ditët në vijim.

Mbledhja e sotme ka arritur që të ndryshojë qëndrimin e një pjese të anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues, të cilët kanë qenë këmbëngulës që president të zgjidhet Jakup Krasniqi, ndërkaq kanë kundërshtuar fuqishëm Pacollin për president.

Megjithatë, pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve, në fund është marrë vendim me konsensus që posti i të parit të shtetit t’i takojë AKR-së, ndërsa postet tjera ministrore do të negociohen gjatë ditëve në vijim.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se mbledhja ishte në një atmosferë shumë pozitive, ku kishte debat të hapur dhe konstruktiv, për të rezultuar me pajtueshmërinë që PDK të hyjë në koalicion me AKR-në, Listën “LDK-Ibrahim Rugova” dhe partitë tjera të pakicave.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të hyjë në koalicion me AKR-në, ka vendosur që pozitat kryesore të ndahen, natyrisht pozita e presidentit t’i takojë AKR-së, ndërsa për vendimet tjera për ministri, do të jenë ato që do të negociohen në mes të Kryesisë së PDK-së, apo grupit që kemi pasur ne dhe Kryesisë së AKR-së”, ka thënë Kuçi.

Kuçi nuk ka dashur të merret me personalitetin e Pacollit, duke thënë se edhe PDK-ja si secila parti ka mendime individuale, por sillet si parti e përgjegjshme dhe vendimet i merr në të mirë të vendit.

Ndërkaq për Jakup Krasniqin, i cili brenda mbledhjes së Këshillit Drejtues kishte një grup të fuqishëm që ka mbështetur kandidaturën e tij për president të vendit, Kuçi ka thënë se nuk bëhet fjalë për grup, por për mbështetjen e gjithë PDK-së për Krasniqin, mirëpo ndarja e posteve është çështje e marrëveshjeve me partnerët e koalicionit.

“Unë mendoj që Krasniqin nuk e ka kërkuar një grup, por e ka kërkuar tërë PDK-ja. Kështu që nuk ka asnjë dilemë në këtë drejtim dhe nuk është mirë ta vëni në baraspeshë personalitetin e zotit Krasniqi me asnjë personalitet tjetër në Kosovë. Në anën tjetër kjo është pjesë e negociatat që në përgjithësi nuk janë të lehta, ne kemi negociuar disa herë me AKR-në, ne kemi takuar disa herë kryesinë e partisë, grupin parlamentar, Këshillin Drejtues dhe kemi ardhur në këtë vendim”, është shprehur Kuçi.

PDK nuk frikësohet se në seancën kur do të zgjedhet presidenti, mund të mos i ketë numrat e nevojshëm, duke e pasur parasysh kundërshtimin që ka ardhur nga brenda PDK-së për kandidaturën e Pacollit për të parin e shtetit.

“Çdo kush që e di tabelen e shumëzimit e di që janë numrat”, ka thënë shkurt Kuçi.

Ndryshe, për ndarjen e posteve tjera ministrore kryesitë e dy partive, PDK dhe AKR do të bisedojnë ditëve në vijim, ndërsa në kryesinë e PDK-së do të diskutohet për mandatarin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

PDK pranon që Pacolli të jetë President

Këshilli Drejtues i PDK-së, pas një takimi që ka përfunduar para pak çastesh, ka marrë vendim që të hyhet në koalicion me AKR-në, ku posti i peridentit të Kosovës do t’i takojë kryetarit të AKR-së, Behxhet Pacolli, ndërsa posti i kryeministrit dhe ai i kryetarit të Kuvendit do t’i takojnë PDK-së.

Sipas nënkryetarit të PDK-së, Hajredin Kuçi, vendimi është marrë me konsensus, pas një debati siç tha ai konstruktiv të zhvilluar në Këshillin Drejtues të PDK-së.

Kushtëzim i ARK-së për të hyrë në koalicion me PDK-në, ishte që postin e presidentit të Kosovës ta ketë Behgjet Pacolli.

Mblidhet Këshillit

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë sot konsultimet brenda strukturave të saj për formimin e koalicionit me Aleancën Kosova e Re.

Kryesia e PDK-së do të mblidhet sot në orën 14.30 për të diskutuar rreth modaliteteve më të reja karshi koalicionit me AKR-në, ndërkaq do të dalë me propozime para Këshillit Drejtues të partisë, i cili do të mblidhet në orën 16.

Burime zyrtare nga PDK-ja, i kanë thënë Kosovapress-it, se problemi kryesor për arritjen e marrëveshjes me AKR-në mbetet emri i Behgjet Pacollit për president, për të cilin një pjesë e madhe e anëtarëve të kryesisë së PDK-së, nuk ka besim në aktivitetin që mund të ketë Pacolli si i pari i shtetit.

Sipas këtij zyrtari të lartë të PDK-së, nuk është problemi tek emri i Jakup Krasniqit apo te kushtëzimi që ai të jetë president i vendit, por tek emri i Pacollit dhe mosbesimi ndaj tij.

“Nuk e dimë nëse edhe ai është pjesë e ndonjë skenari të mundshëm për dështimin e koalicionit. Në këtë drejtim mund të themi se nuk ka siguri as sa u përket numrave për formimin e koalicionit”, ka thënë ky zyrtar.

Nga ana tjetër, AKR-ja vazhdon të jetë këmbëngulëse në kërkesën e saj që ta ketë postin e presidentit.

Nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nëse posti i presidentit nuk i jepet AKR-së, atëherë kjo parti as nuk do të diskutojë më tutje çështjen e koalicionit.

“Nëse nuk është pjesë e diskutimeve posti i presidentit, përmes së cilit AKR-ja dhe kryetari i saj Behgjet Pacolli mund ta shtrijnë fushëveprimin e saj, atëherë ne nuk kemi çka të bisedojmë për koalicion”, ka thënë Kusari-Lila të hënën gjatë një pritje të organizuar nga Ambasada Franceze në Prishtinë me rastin e Ditës Kombëtare të Francës.

Sidoqoftë, sipas burimeve brenda PDK-së, marrëveshja mes PDK-së dhe AKR-së do të arrihet së shpejti, pavarësisht se një pjesë e deputetëve të PDK-së kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë Behgjet Pacollin për president.

Edhe vetë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili në pritjen e Ambasadës Franceze nuk ka dashur të flas për negociatat për formimin e koalicionit, shkurtazi ka thënë se edhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojnë bisedimet dhe se në fund të ditës pritet të konkretizohet marrëveshje.

Para se të finalizohet marrëveshja me AKR-në, PDK-ja do të kërkojë edhe mendimin e Këshillit Drejtues si organi më i lartë vendimmarrës i partisë. Mbledhja e Këshillit Drejtues është paraparë për orën 16.00, ndërkaq po ashtu janë paralajmëruar vështirësi në arritjen e një pajtueshmërie të anëtarëve të Këshillit Drejtues për të bërë koalicion me AKR-në me kushtet e kësaj të fundit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›