E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre të arrestuar për trafikim me qenie njerëzore

Nga Express më 14 shkurt 2011 në ora 15:14

Policia ka arrestuar në Rahovec tre persona si të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, ndërsa ka identifikuar një të mitur, e cila ishte viktimë e trafikimit.

Policia e rajonit të Prizrenit, njofton se të dielën një patrullë e Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit që i ka bërë një veture në Rahovec, në të cilën ndodheshin tre meshkuj dhe një femër e moshës së re, femra nuk kishte asnjë dokument identifikues dhe pas dyshimeve se ajo mund të jetë viktimë e trafikimit, policia ka shoqëruar katër personat në stacion për verifikim të mëtejshëm.

“Gjatë hetimit fillestar është kuptuar se ditë më parë, prindërit e vajzës kanë kërkuar ndihmën e policisë së një stacioni policor të një qyteti të Kosovës për gjetjen e bijës së tyre të mitur, e cila konsiderohej si person i zhdukur”, njofton policia.

Gjatë intervistës është kuptuar se e mitura ishte keqtrajtuar seksualisht dhe për këtë janë ftuar në ndihmë hetues nga Njësia kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore e Hetimeve Rajonale në Prizren.

“Gjatë hetimit, hetuesit kanë siguruar dëshmi se të dyshuarit A. Berisha, E. Bacaj dhe P. Gashi, e kanë shtyrë të miturën të merret me prostitucion për shuma parash prej 20-50 euro. Në konsultim me prokurorin është vendosur që tre të dyshuarve t’u shqiptohet masa e arrestit policor. Ndërsa viktima është strehuar në një shtëpi të sigurt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›