Gjak bardheblu për stolin e Tiranës

Presidenti Refik Halili ka siguruar se trajneri i ri do të zgjidhet shumë shpejt, pas diskutimeve me donatoren Shefikat Ngjela.
Kriteret janë të përcaktuara mirë: tekniku do të jetë shqiptar dhe një ish-lojtar i skuadrës 23 herë kampione. Me fjalë të tjera, një person që e njeh mentalitetin e futbollit shqiptar dhe di të “manovrojë” edhe në situata të vështira, por mbi të gjitha që është i familjarizuar me ambientin bardheblu.
“Për momentin nuk kam vendosur asgjë. Që prej ditës së nesërme (sot) do të filloj diskutimet me donatoren Shefikat Ngjela, të vetmen që po paguan për skuadrën, pasi të tjerëve nuk u kam detyrime, për sa kohë që nuk po tregohen korrektë në lidhje me kontratat e nënshkruara. Gjithsesi një vendim përfundimtar do ta jap të nesër, pasnesër ose maksimalisht të hënën”, deklaroi Halili.
“Kanë shkruar dhe thënë shumë emra, por asnjë nuk është i vërtetë, pasi asnjërin prej tyre nuk e kam menduar apo diskutuar me njeri. Cilat janë kërkesat për drejtuesin e ri të stolit? Trajneri duhet të jetë shqiptar dhe domosdoshmërish një ish-lojtar i Tiranës. Megjithatë, do ta diskutojmë gjatë, pasi nuk është punë e lehtë”.
Emrat që kanë filluar të qarkullojnë janë të zakonshmit, sa herë që ekipit i nevojitet një i brendshëm për ta nxjerrë nga kriza. Bëhet fjalë për Agustin Kolën, Krenar Alimehmetin, Sulejman Memën apo edhe vetë Indrit Fortuzin. Ky i fundit ka drejtuar skuadrën menjëherë pas largimit të Slishkoviç, por deri më tani nuk e ka pranuar ofertën e drejtuesve për të qenë trajner deri në fund të edicionit.
E enjtja ka qenë edhe dita e fundit e Blazhe Slishkoviç në Shqipëri. Kroato-bonjaku është takuar për herë të fundit me presidentin Halili, duke marrë edhe detyrimet financiare për punën e bërë deri më tani.
“Dua të sqaroj se me trajnerin Slishkoviç jam shlyer plotësisht, pasi nuk do t’i lë kurrë borxhe Tiranës”, vazhdoi më tej njëshi i bardhebluve.
Burime jozyrtare flasin për 20 mijë euro që kanë përfunduar në xhepat e ish-trajnerit, i cili ishte më i paguari në Shqipëri për këtë sezon.
Gjithsesi, Halili nuk jep detaje financiare: “I kemi bërë të gjitha likuidimet, sipas pikave në kontratë. Gjithçka ishte parashikuar kur kishim firmosur në fillim të sezonit”.
Në fund, donatori që në këtë sezon ka mandatin e presidentit, ka folur edhe rreth “braktisjes” nga dy prej sponsorëve të tjerë. Halili theksoi se me gjithë mungesën e korrektësisë, ai nuk do të reagojë në të njëjtën mënyrë.
“Unë nuk do të largohem kurrë nga Tirana dhe nuk do ta lë asnjëherë ekipin në baltë, përfundoi drejtuesi. Edhe kur nuk do të jem president, do t’i paguaj një për një të gjitha detyrimet e mia financiare për skuadrës”.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code