Gjakderdhje e re në Bagdad
Një sulmues vetëvrasës ka vrarë së paku 18 persona dhe ka plagosur me dhjetëra të tjerë, pas sulmit që ndërmori sot kundër një laboratori të policisë në qendër të Bagdadit, një ditë pasi që disa hotele në kryeqytetin e Irakut u goditën nga sulmet vetëvrasëse, njoftuan zyrtarët.
Zyrtarët theksuan se pjesa më e madhe e të vrarëve me gjasë janë zyrtarë të policisë, të cilët kanë punuar në zyrën e forenzikës.
Është njoftuar për së paku 82 persona të lënduar.
Sulmet e ndërmarra gjatë 48 orëve të kaluara i kanë dhënë një goditje të rëndë imazhit të qeverisë së Irakut, e cila nuk ka qenë në gjendje të ndalë sulmet e militantëve, të ndërmarra që nga gushti i vitit të kaluar në kryeqytetin e Irakut.
Sulmi i sotëm u ndërmor vetëm një ditë, pas serisë së sulmeve kundër hoteleve, të favorizuara nga shtetasit perëndimor. Si pasojë e sulmeve të së hënës kanë humbur jetën së paku 41 persona dhe janë lënduar 106 të tjerë, kanë njoftuar dje zyrtarët.
Ambasadori i SHBA-së në Irak, Cristopher Hill, lëshoi sot një kumtesë, me të cilën dënoi ashpër sulmet kundër hoteleve.
Sulmet e së hënës rastisën me ekzekutimin e Ali Hassan Al Majidit, të njohur me nofkën “Aliu Kimik”, i cili u dënua me vdekje nën akuzat për krime kundër njerëzimit.
Të afërmit e tij kanë theksuar se ai do të varroset pranë ish-diktatorit irakian, Saddam Husseinit, në qytetin e Tikritit.