E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut po përgatitet për test të ri raketor

Koreja e Veriut ka ndaluar lundrimin e anijeve në brigjet e veta perëndimore, gjë që le të kuptojë se Pheniani është duke përgatitur ndërmarrjen e një testi të ri raketor në këtë rajon, ka njoftuar sot kanali televiziv jug-korean, YTN, duke cituar me këtë rast një zyrtar ushtarak.

Rajoni në fjalë gjendet në afërsi të kufirit të kontestuar detar me Korenë e Jugut, ku në nëntor të vitit të kaluar u zhvillua një përleshje e armatosur mes forcave detare të dy vendeve, të cilat teknikisht ende janë në luftë.

“Ne po vëzhgojmë nga afër situatën në rajon, për të parë se a është marrë vendimi për të ndaluar qarkullimin për shkak të manovrave dimërore ushtarake të Veriut, apo për shkak të një testi të ri raketor”, citoi YTN zyrtarin anonim.

Ushtria e Koresë së Jugut theksoi se është duke e hetuar këtë raport të YTN.
Koreja e Veriut gjatë javëve të kaluara ka sinjalizuar se është e gatshme që të reduktojë kërcënimet ndaj sigurisë së Azisë Veriore, me deklaratën se mund t’i jap fund bojkotimit të negociatave për çarmatim bërthamor.

Analistët kanë theksuar se me gjasë Pheniani është duke tentuar të sigurojë koncesione, në shkëmbim të rikthimit në negociatat gjashtë-paleshe me Korenë e Jugut, Kinën, Rusinë, Japoninë dhe SHBA-në.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›