E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europianët: Deficiti i Greqisë vë euron në rrezik

Athina përjashton çdo mundësi që të dalë nga Eurozona
Shtimi i deficitit publik në vende të Bashkimit Europian, si Greqia, kanë dobësuar dhe madje vënë në rrezik kohezionin e monedhës së përbashkët europiane. Kjo sipas informacioneve të një dokumenti të fundit të hartuar nga Komisioni Europian. Ndërkaq, ministri i Financave të Greqisë ka mohuar spekulimet që po diskutohen shumë në lidhje me largimin e vendit të tij nga Eurozona. Rritja e disbalancave mes vendeve brenda monedhës së përbashkët është një çështje që ngjall shumë shqetësim për tërë Eurozonën, thuhet në dokumentin e hartuar nga njësia financiare dhe ekonomike e komisionit, dokument i hartuar posaçërisht vetëm për ministrat e Financës së BE-së e që është publikuar dje nga revista gjermane, “Der Spiegel”. Sipas saj, këto disbalanca mund ta dobësojnë besimin te monedha euro dhe tërë kohezionin e bashkimit monetar. Veçanërisht ekspertët e Brukselit janë të shqetësuar në lidhje me vende të tilla me probleme, si Greqia, Irlanda dhe Spanja. Kombinimi i shtimit të borxhit dhe i uljes së konkurrencës është shumë shqetësues. Shumë shtete e kanë humbur durimin e tyre me Greqinë, veçanërisht Gjermania, kryesisht pas daljes së faktit të manipulimit të të dhënave statistikore të Greqisë, të dhëna që i ishin dërguar qëllimisht të pasakta Komisionit Europian. Madje revista gjermane e ka çuar retorikën e ashpër ndaj Greqisë në një nivel shumë të lartë javës që shkoi: “Ata që nuk zbatojnë ligjin, që veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme për veten dhe në dëm të të tjerëve e dëmtojnë rëndë reputacionin e euros”, shkruan në këtë revistë shefi i ekonomistëve të Bankës Qendrore Europiane, Jurgen Stark. Ai tha se bëhej fjalë jo vetëm për probleme që kishin lidhje me Greqinë, por dhe me vende të tjera brenda Eurozonës, që ishin në një gjendje të rëndë. Për momentin, Bashkimi Europian duket se nuk ka ndërmend që ta ndihmojë Greqinë financiarisht dhe se ideja e gjetjes së një linje krediti për Greqinë është një gënjeshtër. Në Athinë, ministri grek i Financave deklaroi për një tjetër gazetë gjermane, se ai ishte kundër çdo lloj bisedimi për mundësinë e largimit të vendit të tij nga Eurozona.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›