E Diel, 1 Nëntor 2026

Jemeni nuk pranon forca të huaja

Jemeni ka nevojë për përkrahje logjistike në luftën kundër Al Qaidës, por ky vend nuk do të lejojë operacionet e fshehta të shërbimeve të huaja kundër këtij rrjeti terrorist në territorin e vet, ka deklaruar sot Ministri i Jashtëm i Jemenit, Abubakër Al Qirbi.

Qeveria në Sanaa këtë muaj i ka shpallur luftë Al Qaidës, duke intensifikuar sulmet ajrore dhe operacionet e sigurisë, pasi që dega e Al Qaidës në Jemen mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e dështuar kundër një aeroplani amerikan në Detroit, më 25 dhjetor të vitit të kaluar.

Megjithatë, Al Qirbi përjashtoi mundësinë e hapjes të ndonjë baze të ushtrisë amerikane në territorin e Jemenit apo operacionet e fshehta të forcave të huaja në territorin e këtij vendi.

“Ne do të ndërmarrim vetë këto operacione. Nuk kemi nevojë për ushtarë të huaj, për luftën që mund ta bëjmë vetë”, tha Al Qirbi.

Ai theksoi se qeveria e Jemenit ka bërë gabim, kur lejoi intervenimin e jashtëm në vitin 2002, kur një raketë amerikane vrau një udhëheqës të Al Qaidës, të dyshuar për sulmin vetëvrasës me bombë kundër anijes US Cole, në vitin 2000.

“Ky u dëshmua si një gabim i tmerrshëm, të cilin nuk dëshirojmë ta përsërisim. Këto aksione duhet t’i udhëheqim vetë dhe të gjithë ata, të cilët janë të interesuar, duhet të na përkrahin”, tha Al Qirbi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›