Ligjvënësit francez për ndalimin e pjesërishëm të perçes
Komisioni i Parlamentit të Francës ka rekomanduar sot për ndalimin e bartjes së perçes në vendet publike, siç janë spitalet dhe ka rekomanduar që t’i refuzohet nënshtetësia të gjithë atyre, që tregojnë shenja të “praktikave radikale religjioze”.
Raporti i Komisionit përmban edhe një varg masash, për të bindur femrat myslimane në Francë që mos të bartin perçe. Sidoqoftë, në raport nuk është kërkuar që kjo veshje të ndalohet nëpër shtëpi dhe në rrugë.
Komisioni më 32 anëtarë në raportin e vet ka zgjedhur një gjuhë mjaft të kujdesshme, për t’iu shmangur kritikave për diskriminim ndaj myslimanëve. Vlerësohet se në Francë jetojnë rreth 5 milionë myslimanë.
Raporti paraqet kulminacionin e hetimeve gjashtë-mujore për perçen, hetim ky i cili filloi pas deklaratës së presidentit francez, Nicolas Sarkozy, të bërë në qershor të vitit të kaluar, me ç’rast ai pat theksuar se perçja nuk është e mirëseardhur në Francë.