E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, 15 familje të ngujuara prej një dekade

Sipas policisë e Kukësit, 15 familje në rrethet Kukës, Has, e Tropojë kanë më shumë se një dekadë të ngujuara nga frika e gjakmarrjes. Rrethi me numrin më të madh të këtyre rasteve është Tropoja ku akoma dhjetë familje ndodhen të ngujuara 

KUKES- Janë 15 familje në rrethet Has, Kukës e Tropojë që prej afro një dekade rrinë të ngujuar nga fenomeni i gjakmarrjes. Të udhëhequr nga Kanuni që akoma për këto familje sfidon ligjet e shtetit, duhet të rrinë të ngujuar brenda katër mureve të shtëpisë për ti shpëtuar forcës vrasëse të gjakmarrjes.

Sipas burimeve konfidenciale në policinë e Kukësit të cilat u referohen statistikave ndër vite të fenomenit gjakmarrje, që nga viti 1991 e në vazhdim janë afro 252 familje të skeduar nga policia që gjakmarrja apo hakmarrja mund të shfaqet dhe të marrë jetë njerëzish”. Rrethi me numrin më të madh të këtyre rasteve është Tropoja ku akoma dhjetë familje ndodhen të ngujuara, ndërsa në Has janë katër familje dhe një në rrethin e Kukësit.

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës bëjnë të ditur se numri i familjeve ku gjakmarrja mund të godasë ka ardhur në ulje. “Bashkëpunimi me pushtetin vendor, Komitetin e Pajtimit të Gjaqeve, OJF-të dhe në përgjithësi me komunitetin e qarkut Kukës ka dhënë rezultate pozitive”.

Sipas specialistëve të policisë një ndikim në frenimin dhe minimizimin e gjakmarrjes është rritja e treguesve të punës së policisë në drejtim të goditjes së autorëve duke i vënë përpara drejtësisë. “Vitin e kaluar janë kapur nga policia e qarkut Kukës 113 persona në kërkim ku një pjesë e madhe e tyre kërkoheshin për vrasje, dhe gjatë këtij viti janë kapur 30 persona të kërkuar”, theksojnë burimet e mësipërme duke shtuar se në 15 familjet e ngujuara nuk ka asnjë fëmijë nga mosha 18 vjeç e poshtë.

 Ato shkojnë rregullisht në shkollë dhe ndjehen plotësisht të integruar në shoqëri.
Fenomeni gjakmarrje dhe hakmarrje në rrethet e qarkut Kukës u shfaq vrullshëm pas vitit 1991. Vetëm në rrethin e Tropojës kanë humbur jetën mbi 150 persona me moshë mesatare 30 vjeç.

(O.Zhupa/ BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›