Durrës, mbërrijnë një ditë me vonesë tragetet në Durrës
Durres- Moti i keq ka vazhduar të krijojë shqetësime edhe gjatë ditës së sotme. Për shkak të shirave të rrëmbyer asnjëra prej anijeve të transportit nuk arriti të përpunohej duke i mbajtur ato të bllokuara për të dytën ditë me radhë. Dëmi llogaritet në disa mijra dollarë bëjnë të ditura burime nga porti detar.
Gjatë ditës së djeshme u punua vetëm në terminalin e trageteve. Anijet e transportit të pasagjerëve mbërritën në Durrës me 24 orë vonesë.
Sot rreth orës 09 e 30 minuta arriti të ankorohej trageti i linjës Ankona-Durrës me rreth 200 pasagjerë dhe 60 automjete në bord. Trageti duhet të kishte mbërritur në portin e Durrësit që të premten në mesditë.
Po kështu me një ditë vonesë arritën edhe tragetet e linjës Bari- Durrës të cilët të enjten në mesnatë nuk arritën të shkëputeshin nga kalata e portit të Barit për shkak të detit të trazuar dhe erës së fuqishme.
Kapitenaria e portit kishte marrë masa për ruajtjen e sigurisë në basen e për këtë arsye tragetet janë përpunuar një e nga një në mënyrë që të shmangesh ndonjë aksident detar si ai që ndodhi me datën 24 nëntor kur trageti u përplas me portin e peshkimit.
Në situatë normale, në terminal ankorohen dhe përpunohen 4 deri 5 tragete në të njëjtën kohë.
Sipas kapitenarisë deti është qetësuar disi ndaj lundrimet e trageteve janë të mundëshme. Ndërkohë nuk bëhet fjalë për lundrimin e anijeve të tonazhit të vogël të transportit dhe për peshkarexhat.
(O.Zh/ BalkanWeb)