Shkretëtirë gushti tek anëtarësia e PS-së

Me arratisjen e Edvinit dhe të politikanëve burra që i qendrojnë pranë, anëtarësia socialiste po e ka shumë të vështirë që të mbrojë pozicione të tilla absurde si rrafshimin e çfarëdolloj investimi të kryer nga qeveria dhe me fondet e buxhetit të shtetit. Me krijimin e kësaj shkretëtire politike, strukturat e vjetra majtiste i kanë kthyer sytë nga LMN-ja, sinjalet e ish-kryetarit Nano apo qëndrimet e LSI-së, duke ofruar perspektivën e një braktisjeje finale të lidershipit edviniste, që s’po mundet të prodhojë politikë, as sa për të mbajtur votat opozitare të 2009-s
Në njërin nga muajt më të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, lidershipi socialist është angazhuar në një fushatë të egër kundër turizmit shqiptar, por e gjithë skema po realizohet me korrespondencë. Konferencat për shtyp kryhen nga njerëz të panjohur ose të nivelit të dytë, ndërkohë që “pezzo grosso”-t e partisë janë të gjithë jashtë vendit. Si dëshmi se në Shqipëri nuk jetohet, Edi Rama po shijon disa pushime latino-amerikane, nën mashtrimin e problemeve familjare, ndërkohë që gazeta më herët ka denoncuar edhe mungesën e disa burrave të tjerë të rëndësishëm të PS, të cilët gjithashtu janë larguar në drejtim të paditur.
Në këtë mungesë flagrante të lidershipit, anëtarësia socialiste është vënë në siklet të madh nga strategjia tjetër që po ndjek e djathta, ajo e paraqitjes me zemër në dorë tek elektorati, duke evidentuar investimet dhe projektet që së afërmi pritet të vihen në jetë. Socialistët s’po munden dot të shprehen as për nxjerrjen e bregdetit nga izolimi 70 vjeçar, ku e kishin futur byroistët dhe nipat e tyre, e as për krijimin e një klime të favorshme që është krijuar për investitorët e huaj. Opozita mungon edhe në apelin e madh për arritjen e konsensusi kombëtar, i cili do të mund të përshpejtojë ritmet e reformave që e afrojnë vendin me standardet e Bashkimit Europian, dhe sjellin jo veç heqjen në vjeshtë të regjimit të vizave, por edhe marrjen së afërmi të statusit të kandidatit për anëtar të plotë në Bashkimin Europian.
Këto përgjigje nuk jepen dot, pasi tek e majta mbizotëron një shkretëtirë e plotë. S’ka asnjë mesazh se ky pol politik do të jetë në lartësinë e përgjegjësisë që i ka dhënë elektorati. Në shumë prej organizatave socialiste ka një situatë të sikletshme dhe anëtarësia ka nisur të shprehet publikisht, jo veç në favor të disa qëndrimeve të LMN-së (pa u shqetësuar për ndëshkimet leniniste që ndërmarrin lejfenët e Edvinit) e të Fatos Nanos, por edhe në mirëkuptimin e pozicioneve që mban LSI-ja, forca tradicionale e së majtës, e cila ka aderuar në koalicionin qeveritar të integrimit.
Shkretëtira politike e të majtës bashkëshoqërohet me shkretëtirat elektorale në testimin më të parë të publikut dhe testi më i afërt mbeten zgjedhjet e ardhshme vendore. Edi Rama e vijon ekzilin pa mundur as të thotë me sms nëse ka ndërmend që të rikandidojë për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Tiranës (ngjan një çmenduri veç kur e mendon), dhe entourage-i i tij është në një nivel edhe më mjeran politik, kur detyrohet të riprodhojë si papagall veç shfryrjet personale që kryetari lëshon me celular që nga Los Anxhelesi, ku po përpiqet të rikuperojë libidon e humbur nga dështimet e fundit publik.
Shkretëtira e së majtës është një lajm i keq, që po mban peng edhe ngritjen e komisionit zgjedhor për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, por duket se anëtarësia socialiste është e para që po i ofron publikut ilaçin, i cili është braktisja e plotë, pa ekuivok e pa kthim, e grupimit që tregon se s’ka as përgjegjshmëri për mandatin e dhënë nga zgjedhësit e as vizion për ta rikonfirmuar këtë mandat në testimin më të afërt elektoral.
Re.po