E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Ofertat nga AAK dhe LDD i ka marrë LDK, jo unë

Prishtinë
Presidenti i Kosovës nuk i ka dhënë rëndësi ftesës nga Daci

Presidenti Fatmir Sejdiu, i cili njëkohësisht është edhe kryetar me post të ngrirë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ai nuk i ka marrë ofertat nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Dardanisë për koalicion parazgjedhor, por ka shtuar “se ato i ka marrë LDK-ja”. “Jo, unë s’kam marrë, unë jam President i vendit. Ato i kanë marrë partitë politike, i ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ajo ka dhënë apo edhe jep përgjigjet e veta”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për radion “Europa e Lirë”, i pyetur për qëndrimin e tij lidhur me këto oferta. “Natyrisht unë s’mund të izolohem nga roli i liderit që kam në këtë parti politike dhe këtë kujdes që duhet të kem për të, por edhe për partitë e tjera politike, absolutisht. Mirëpo, çështja e interesave në kuptim të bashkëpunimeve politike është pjesë e fokusit normal të secilës parti politike”, ka thënë ai. Presidenti Sejdiu ka vlerësuar se kjo mbase mund të jetë edhe një ndjenjë e forcimit të bashkëpunimit në relaksimin e klimës politike përgjithësisht dhe jo për të krijuar front, barriera, apo siç thuhet nganjëherë tabor kundërshtues. “Por, në këtë kuadër, unë besoj se LDK-ja ka energjinë e vet që të japë përgjigje edhe për iniciativën e parë. Gjithashtu, besoj që ka dhënë përgjigje edhe për çështjen e iniciativës së dytë, që është dhënë këto ditë, unë s’kam ndonjë përgjigje time, sepse po të isha përgjigjur, sigurisht se do të ishte interferencë në atë që mua nuk më takon të merrem”, është shprehur ai. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar se dy vjet pavarësie është një periudhë e dëshmimit të mirë të Kosovës për të qenë shtet sovran dhe i pavarur, me zhvillime pozitive që ka pasur, me gjithë prognozat e këqija nga kundërshtarët e pavarësisë. "Një periudhë e ballafaqimit me sfida të shumta, një periudhë thjesht e një ecjeje të re të Kosovës edhe në kuptimin e plotësimit të standardeve për të lëvizur më shpejt në proceset integruese", theksoi Presidenti Sejdiu në një intervistë për radion “Europa e Lirë”. Gjithashtu Presidenti vlerësoi se kjo është një periudhë e rëndësishme, që ka të bëjë edhe me mbështetjen e vazhdueshme ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik, në mbështetje të rëndësishme të konferencës së donatorëve dhe në mbështetje të vendeve veç e veç dhe në shtimin e njohjeve. Ai tha se institucionet kanë mbajtur stabilitetin e përgjithshëm të vendit, atë politik dhe ekonomik e në këtë kuadër shprehu falënderimin më të thellë për të gjithë qytetarët e Kosovës, për institucionet, partitë politike dhe për mbështetjen ndërkombëtare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›