Shqipëria drejt prodhimit dhe eksportimit të barnave
Qendra e Kontrollit të Barnave: Për 2010-ën do të vendosim sistemin e testimit të cilësisë së ilaçeve
Këtë vit shëndetësia shqiptare po mendon seriozisht për të bërë disa hapa të mëdhenj. Njëri prej tyre është edhe eksporti i barnave për prodhuesit vendas. Ky është një nga synimet dhe objektivat kryesorë për vitin 2010. Ndërkohë që strukturat shëndetësore janë duke menduar lehtësira, si dhe përmbushje të detyrimeve të kërkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për ndërmarrjen e objektivave të tilla. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka referuar dje analizën e punës përgjatë një viti. Ndërkohë që kreu i QKKB-së, Besnik Jakaj, ndër të dhënat kryesore që ka referuar, ka theksuar: “Një nga objektivat dhe angazhimet për vitin 2010 është përpilimi dhe miratimi i certifikatës së produktit farmaceutik në përputhje të plotë me standardet e OBSH-së, me qëllim ardhjen në ndihmë të prodhuesve vendas për eksportin e produkteve të tyre në vende të tjera”.Sipas tij, një tjetër event që pritet të futet në “axhendën” e 2010-s është shkëmbimi i informacionit mbi barnat e prodhuar sot në botë dhe aksesi në sektorin përkatës (Drug Dictionary), me qëllim verifikimin e barnave të falsifikuara, si dhe realizimi i hedhjes në treg të të gjitha barnave me fletë-udhëzuesin në shqip.
Këtë vit pritet të realizohet akreditimi i Laboratorit të QKKB-së si i vetmi laborator në të gjithë territorin e vendit, i cili realizon procesin e kontrollit të cilësisë së barnave.
“Kemi për angazhim përpilimin dhe miratimin e modelit të ri të certifikatës së regjistrimit, ku do të përfshihen të dhëna të plota të barit, nga të dhënat standarde të paraqitura edhe në modelin aktual e deri te formula e barit, specifikime të plota mbi paketimin jetëgjatësinë e barit, përmbledhja e karakteristikave të produktit. Kjo do ta ndihmojë së tepërmi sistemin e farmakovigjilencës, për efektet e padëshiruara të barit dhe ato të padeklaruara nga ana e kompanive farmaceutike”, sqaroi drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj.
Sipas analizës vjetore, inspektorët e qendrës së kontrollit të barnave kanë ushtruar kontroll në të gjitha subjektet farmaceutike të vendit. Në rast të konstatimit të shkeljeve që përbëjnë kundërvajtje administrative, gjatë vitit 2009 janë marrë masat administrative si dënim me gjobë për 16 subjekte, njoftim organeve tatimore dhe policisë për 6 subjekte të palicencuara, propozim për heqje licence për 24 subjekte farmaceutike.
Këto masa janë marrë kur është konstatuar tregtimi i barnave pa pullën e kontrollit, tregtimi i barnave nga persona pa arsimin përkatës, tregtimi i barnave pa recetën e mjekut, mosdhënia e informacionit periodik, mosrespektimi i praktikave të ruajtjes dhe shpërndarjes së mirë të barnave.
#