E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjallë" përzgjidhet kandidat për "Oskar"

Filmi "Gjallë" i Artan Minarollit do të përfaqësojë Shqipërinë në çmimet "Oskar" në seksionin e filmit të huaj "Best foreign Film Award". Një komision përzgjedhës i ngritur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka vendosur që të jetë prodhimi i fundit i regjisorit Artan Minarolli që do të kandidojë për t‘u bërë pjesë e konkurrimit në edicionin e 82-të që organizohet në vitin 2010. Ish-ministri Ardian Turku, drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Xhevdet Ferri, Mimoza Sofroni, specialiste e ministrisë për projektet, Kristaq Mitro, Piro Milkani dhe Esat Musliu kanë qenë në përbërje të komisionit që ka diskutuar e përzgjedhur filmat. Meqenëse ka disa kritere të përcaktuara për paraqitjen në këtë konkurrim, në komision janë paraqitur vetëm prodhime të fundit. Filmi i përzgjedhur duhet të ketë bërë premierën, por edhe të ketë kryer një cikël të plotë komunikimi me publikun, pra të jetë shfaqur në kinema. Në këtë pikëpamje "Gjallë" përfundoi në muajin qershor 2009, premiera botërore u dha në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary në Çeki, më 5 korrik 2009, ndërsa premiera në Shqipëri u dha në Festivalin Veror të Durrësit më 27 gusht 2009, ku u vlerësua nga juria me Çmimin Special. Që prej 5 shtatorit filmi u shfaq në kinema "Imperial" në Tiranë. Deri më tani, para se të jepej lajmi i përzgjedhjes së filmit "Gjallë", nuk ishte bërë publike asnjë e dhënë mbi komisionin e ngritur apo filmat konkurrues. Bëhet e ditur se komisioni ka marrë në shqyrtim edhe filmin tjetër të Minarollit "Kronikë provinciale", i cili, për shkak të disa problemeve në fazën e postproduksionit, arriti të shfaqej premierë vetëm këtë vit, ndërkohë që xhirimet kanë mbaruar që katër vite më parë. Komisioni përzgjedhës është dyzuar mes "Gjallë" apo filmit "Koha e kometës" të Fatmir Koçit, bazuar mbi romanin e Kadaresë. Një vit më parë, në media, por edhe në qarqet e kineastëve pati diskutime deri në nivele debatesh, pasi filmi nuk u pranua që të merrej në konsideratë me shpjegimin se nuk e arrinte afatin (nuk ishte shfaqur ende në kinema për publikun gjatë kohës që po shqyrtoheshin filmat). Për 2008-ën ishte "Trishtimi i zonjës Shnajder", i regjisorëve Piro dhe Eno Milkani që u përzgjodh për të kandiduar në seksionin e filmave të huaj (jo anglishtfolës) në "Oskar". Aludime për mënyrën e përzgjedhjes shoqëruan edhe këtë film. Ndërkohë që edhe sivjet, "Koha e kometës" nuk ka fituar përballë filmit "Gjallë" të Minarollit. "Ne dhe Lenini", i regjisorit Saimir Kumbaro, ishte një tjetër film që i përmbushte kriteret për t‘u marrë në shqyrtim, por me sa duket, pa një konfirmim të saktë, regjisori nuk ka qenë i interesuar për këtë rast. Ndërsa filmi i ri i Gjergj Xhuvanit, "Lindje-Perëndim-Lindje", ndonëse ka mbaruar si prodhim, e ka pasur premierën mbrëmjen e së martës, në hapjen e edicionit të parë të PriFilmFest në Prishtinë. "Gjallë", një film i realizuar nga bashkëpunimi i "WilDart Film" në Vjenë, "Art Film" në Tiranë dhe "Agat Films & Cie" në Paris, rrok edhe një herë temën e gjakmarrjes, përcjellë përmes historisë së një djaloshi nga Veriu, studimet dhe rrjedha normale e të cilit ndryshon nga një gjakmarrje e vjetër. Nik Xhelilaj, Nijada Saliasi, Besart Kallaku, Xhevdet Feri, Arqile Lici, Bruno Shllaku, Luljeta Bitri, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Sulejman Dibra, etj., janë kasti i aktorëve të përzgjedhur për këtë film. Pas premierës dhe shfaqjes në kinema, në rrethet e kineastëve ka pasur diskutime për sa i përket trajtimit që regjisori i bën kësaj teme në film, karaktereve, vijës dramaturgjike apo detajeve të caktuara. Gjithsesi pritet të shihet nëse komisioni përzgjedhës në "Oskar" do ta bëjë pjesë të listës së konkurrimit zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›