E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama humbi zgjedhjet, të japë dorëheqje dhe të lejojë deputetët socialistë hyjnë në Parlament”

Kundërshtarët e kreut të PS-së, takim entuziast në Durrës

    
Deputeti Ben Blushi, anëtari i kryesisë së PS, i ka bërë thirrje Edi Ramës të pranojë përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Apelin e tij, Blushi e ka ripërsëritur në takimin e djeshëm që nismëtarë dhe përfaqësues të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, kanë zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Në këtë takim të zhvilluar dy ditë para zgjedhjeve për kryetarin e ri të PS, pesë nga deputetët e mandatuar në votimet e fundit, Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Kastriot  Islami dhe Marko Bello, së bashku me ish-deputetë dhe përfaqësues të tjerë të PS, kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre siaps të cilit ata nuk përbëjnë një lëvizje të re politike, por kërkojnë ndryshime të cilat mund të bëhen vetëm përmes “luftës politike parlamentare” dhe duke reformuar thellësisht vetë PS.
Nëse PS vazhdon këtë politikë, ajo shumë shpejt nuk do të jetë as e majtë dhe as socialiste. Në këtë konkluzion kanë dalë të gjithë deputetet të cilët janë vendosur në anë të kundërt me Edi Ramën në çështjen e këndvështrimit për zgjedhjet e qershorit dhe shkaktarët e humbjes.
“Përgjegjësia është hierarkike dhe nis nga kryetari  Edi Rama, i cili ka frikë ta pranojë humbjen para shqiptarëve”, u shpreh Ben Blushi në fjalën e tij.
Ben Blushi rendit më tej disa nga shkaqet pse PS-ja humbi zgjedhjet.
Sipas tij, “Rama premtoi në vitin 2005, kur erdhi në krye të partisë, se do të bashkojë të majtën, do të modernizojë PS-në dhe do ti japë shqiptarëve një program qeverisë, premtime që nuk i mbajti ndaj edhe duhet të largohet nga kryesimi i PS-së”, u shpreh më tej Blushi.
Sipas tij, Rama në vend që të pranojë mendimin ndryshe brenda partisë, kërkon aleanca “pragmatiste” me forcat humbëse të së djathtës.
Blushi u shpreh i vendosur për kthimin në parlament, pasi sipas tij, “betejat politike mund të fitohen vetëm në institucionet e vendit. Evropa nuk e inkurajon largimin nga parlamenti, tha Bushi, duke shtuar se, kthimi në parlament është një detyrim  ndaj zgjedhësve dhe vetë PS”.
Ben Blushi ka ironizuar më tej Edi Ramën lidhur me hapin e bërë pak ditë më parë teksa takoi Spartak Ngjelën në cilësinë e një lëvizje politike. 
“Ngjela në vitin 2003 i thoshte Ramës hap kutitë se ke vjedhur votat, kurse tani na u miqësuar pa motivuar as njëri e as tjetri hapin e ndërmarrë”, deklaroi Blushi.
“Edi Rama kërkon të bëjë aleanca me të pamundurën”, ka shtuar më tej në fjalën e tij Ben Blushi  duke u shprehur hapur se lëvizja e fundit e Ramës dhe takimi i këtij të fundit me Spartak Ngjelën nuk i sjellë asgjë të re e as të mirë PS-së.
“Është e pamundur nga ana ideologjike të bësh aleancë me Nard Ndokën apo Spartak Ngjelën”, ka thënë Blushi.
Kastriot Islami në fjalën e tij tha se, gjatë këtyre viteve identiteti i PS u dëmtua rëndë për shkak të vetizolimit. Sipas tij, mungesa e programit dhe kauzës politike rrezikon ta rrudhë PS deri në përçarje.
“Partia Socialiste është në krizë të rëndë identiteti dhe se socialistët nuk shohim më në të ardhmen e tyre. Nuk jemi këtu për ti bërë karshillëk zgjedhjeve për kreun e Partisë Socialiste, apo të promovojmë lëvizjen ndryshe sepse ne e kemi dhënë mendimin ndryshe”, u shpreh Islami duke shtuar se të pestë deputetët kanë bindje të qarta dhe janë të shqetësuar për fatin e Partisë Socialiste.
Islami tha se vetëm duke shfrytëzuar mandatin politik në parlament  PS mund të kryejë misionin  e saj si forca më e madhe opozitare.
Kundër bojkotit u shpreh edhe Arben Malaj, duke e barazuar mungesën e përfaqësuesve të PS në parlament me fenomenet e vetizolimit, radikalizmit, klientelizimit dhe shitblerjes politike, fenomene, të cilat sipas Malajt, po bëhen gjithnjë e më të pranishme në Partinë Socialiste.
Malaj edhe në këtë takim ka pohuar se grupimi i deputeteve socialistë që qëndrojnë në kahun e kundër me Edi Ramën janë “kundër bojkotit të Parlamentit”, ndërsa i ka bërë të ditur kreut të selisë rozë se “nuk provokohen nga kërcënimet vetëpërjashtuese”.
Malaj ka deklaruar më tej, se të gjithë ata që nuk janë në një anë me Edi Ramën nuk kanë synim të shkatërrojnë partinë por ta bashkojnë atë. Sipas tij humbja e vitit 2009 është e njëjtë më atë të vitit 2005 dhe se kjo ka ndodhur për të njëjtat arsye. Malaj ripërsëriti rrezikun sipas të cilit, “PS-ja po shndërrohet në një parti radikale”. Ndërsa deputeti Marko Bello i quajti zgjedhjet që do të zhvillohen pas dy ditësh brenda partisë, “një farsë politike, me të cilën Edi Rama synon një mandat 4-vjeçar për të shmangur përgjegjësitë edhe në humbjet e ardhshme”. Bello ka ironizuar më tej edhe me “të rinjtë” e ofruar prej Ramës së fundmi në PS. “’Të rinjtë’, nuk janë asgjë më shumë se sa një mall njëpërdorimësh”, ka shtuar Berllo më tej.
Socialistët e Shkodrës denoncojnë - “Edi Rama po manipulon procesin zgjedhor në parti”/Dy ditë para se t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të Partisë Socialistët e Shkodrës kanë denoncuar atë që ata e quajnë përpjekje të Edi Ramës për të manipuluar procesin zgjedhor. Dy prej komisionerëve të konstituuar nga Asambleja e Qarkut si pjesëtarë të Komisionit Zgjedhor të rrethit u është hequr e drejta për të qenë pjesë e administrimit të procesit. Sipas krerëve lokale kjo është bërë pa asnjë motiv dhe në mungesë të plotë të transparencës nga selia rozë. Edip Shiroka, Kryetari i PS-së, dega Shkodër shprehet se “është i çuditshëm fakti që ndërsa kërkojnë standarde zgjedhore në Shqipëri i shkelin më të dyja këmbët në procesin zgjedhor brenda partisë. Komisioni zgjedhor në parti me një vendim absurd bëjnë zëvendësim e komisionit të rrethit e përfaqësuesve të bashkisë Shkodër partisë. Përfaqësuesit tonë profesorë të nderuar, zëvendësohen pa asnjë kriter dhe pa dhënë asnjë shpjegim, me të tjerë persona, kriteri i vetmi i tyre është besnikëria këto kohë të fundit ndaj kandidatit Rama”. Burhan Vajushi dhe Agim Haliti respektivisht nënkryetar dhe anëtar i komisionit të rrethit për administrimin e zgjedhjeve, janë njoftuar nga sekretaria qendrore e Partisë Socialiste për shkarkimin nga kjo detyrë. Në vend të tyre janë emëruar Jetmira Kozmai dhe Genc Uruçi. Burhan Vajushi, Ish-nënkryetar i Komisionit Zgjedhor të Rrethit tha se, “largimi jonë nga ky pozicion është bërë nga dy arsye nga Rama e para është sepse ne që kemi marrë pjesë me iniciativë, për lëvizjen jo bojkotit. I pari në detyrë që shkeli kushtetutën e partisë socialiste është pothuajse i dështuar dhe ne do të paraqesim vetëm realitetin”, u shpreh ai. Duke i quajtur zgjedhjet e pritshme për kryetar të Partisë Socialiste si një farsë elektorale dhe një hap mbrapa për këtë forcë politike, socialistët e Shkodrës i kanë kërkuar rivalit tjetër në garë, kandidatit Maqo Lakrori të mos bëhet pjesë e këtij skenari.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›