E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrohet Sahati i Tiranës

Një karrocë dore, një grumbull me pllaka të shkulura nga toka dhe disa punonjës që përpiqen të vendosin një rrjetë janë pjesë e rrëmujës që has çdo herë pranë Sahatit të Tiranës. Veç kësaj, prania e specialistëve të monumenteve të bënte të kuptoje se aty kishte filluar puna. Kulla do të restaurohet. Pak më tutje, një pllakë e vendosur jo shumë lart nga toka, aty ku syri e arin, gati e nxirë nga pluhurat shënon: monument kulture, mbrohet nga shteti. Veç të tjerash sahati, si pjesë e një kompleksi me xhaminë e Et‘hem Beut është simbol i qytetit të Tiranës. Specialisti Gjerak Karaiskaj, që drejton punimet, shprehet se ka punë për t‘u bërë. Është nisur me heqjen e pllakave të mëparshme, nga ana e hyrjes ku dallon një derë e vogël druri që qëndron e hapur. Do të zëvendësohen me pllaka të reja guri. Ndërsa menjëherë do të nisi larja e kullës në sipërfaqen e jashtme. Ka shumë vite që mbi të nuk është vënë dorë dhe shenjat janë të dukshme. Sidomos në pjesën afër tokës. Prej kohësh muret e kullës shërbejnë për ngjitjen e njoftimeve, reklamave apo gjëra të tilla publicitare. Pozicioni në qendër është i favorshëm për këtë qëllim. Për këto ndërhyrje është marrë miratimi i Bashkisë së Tiranës dhe është bashkëpunuar me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Për më tepër që këto ndërhyrje shënohen edhe si pjesë e projektit të rehabilitimit të sheshit "Skënderbej". Më tej, Gjeraku shton se do të ndërhyhet edhe në pjesët e brendshme të kullës. Do të pastrohen shkallët, do të lyhet pjesa e mureve dhe do të vendosen dyer e dritare të reja. Parashikohet që e gjithë kjo fazë restauruese të vazhdojë deri nga dhjetori i këtij viti. Ndoshta, në pragun e ndërrimit të viteve, do të punojnë edhe akrepat e orëve. Çdokush që ka kaluar përballë sahatit të paktën disa herë, e ka vënë re që prej kohësh orët në faqet e kullës nuk punojnë. Karaiskaj shprehet se rregullimi i tyre i përket bashkisë, nga zyrat e së cilës janë shprehur se do të rregullohet mekanizmi i orëmatësit dhe fushat e orëve. Deri më tani, ka qenë mungesa e një sahatçiu të vërtetë që i ka lënë akrepat 12:00 apo e shumta afër orës një. Krahas ndërhyrjes restauruese, një projekt tjetër i hartuar nga specialisti Sulejman Dashi, i cili pret ende miratimin nga bashkia, synon restaurimin edhe të ndërtesës së sahatçiut, e ndodhur pas kullës. Mendohet që kjo ndërtesë e vogël të kthehet në një muze, ku të jenë të ekspozuara materiale fotografike nga të gjitha sahatet e ngritura në Shqipëri, shoqëruar me një historik të tyre. E rrethuar nga kioska, me muret e dëmtuara dhe çatia pothuajse e rënë, gati e padukshme, sot nuk shërben për asgjë. Por për më tepër ky projekt do të rehabilitonte edhe ambientin rrotull kullës së sahatit, të cilin banorë të zënë ngushtë e përdorin për nevoja personale, duke e kthyer në një kthinë të ndotur në qendër të Tiranës. Kulla e sahatit, ndonëse e hapur për vizitorët që në vitin 1996, ku mund të hyhet pa biletë, nuk është shumë e vizitueshme. Më tepër tërheq ata që duan të shohin një pamje tjetër të kryeqytetit që nga maja e saj. Një ndërhyrje është bërë më parë në këtë kullë në vitin 1981. Kulla e Sahatit e Tiranës është ndërtuar në vitin 1822. Ka 90 shkallë në formë spiraleje. Është 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia, e cila binte për çdo orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit alla San Marko. Në vitin 1928, Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u zëvendësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake. Ora e sotme është një prodhim kinez, e vendosur në vitin 1970.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›