E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mrs. Un" mbaron xhirimet

Regjisori Dhimitër Ismailaj ka përfunduar xhirimet e filmit të tij më të ri me metrazh të shkurtër "Mrs. Un". Në qendër të filmit regjisori ka vendosur një vajzë 7-vjeçare, e cila e ka të vështirë të mësohet me idenë e humbjes së nënës së saj. Fatmira, personazhi kryesor, është në gjendje të bëjë gjithçka për ta takuar sërish nënën e saj. Fantazia e çon në majë të një mali, ku sipas saj, jetojnë njerëzit pasi ndahen nga kjo jetë. Për të nëna jeton atje si Zana e përrallave. Fantazia dhe aventurat marrin fund kur Fatmira 7-vjeçare takon Mrs. Un. Në këtë film regjisori ka përzgjedhur aktorët Kaona Sylejmani (Fatmira), Arjeta Ajeti (Mrs. Un), Blerta Syla (Tezja e Fatmirës), Mentor Zymberaj (Dr. Vladimiri), Bislim Muçaj (Dr. Ylli), etj. Dhimitër Ismailaj është një regjisor i ri, por aktiv në kinematografinë shqiptare. Ismailaj emigroi në SHBA në vitin 1999, ku dhe filloi studimet për Film Production (Produksion Filmi), duke realizuar edhe filmin e parë me metrazh të shkurtër "It Could Happen". Pas studimeve që ndoqi për produksionin e filmave, filloi të merrte leksione dhe për shkrimin e skenarëve. Ai ka realizuar disa filma me metrazh të shkurtër, ndër të cilët "89 cent", "I ëill return", "The patato in Communism" dhe "Mira".

Filmi "Mira", i interpretuar nga aktorët Rozana Radi, Neritan Licaj, Tinka Kurti, Kliti Roshi etj., është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare si "Nine Eleven Film Festival", "Charlotte Film Festival North Carolina", "Festival Toronto", "North America Premiere". "International Film Festival for shorts", etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›