Ahmadinexhad SHBA-së: Na konsideroni miq
Po dje ka folur edhe Sekretari i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i cili u bëri thirrje liderëve të botës, të pranishëm në sallën e Pallatit të Qelqtë, që të përballeshin me kërcënimin e pasojave katastrofike të ndryshimeve klimatike dhe armëve bërthamore, rritjes së varfërisë dhe krizës financiare globale. Shefi i OKB-së ka paralajmëruar presidentët dhe kryeministrat e pranishëm në sallë se asnjë komb, i madh apo i vogël, nuk mund të dhunonte të drejtat e qytetarëve pa u dënuar. Ai bëri thirrje për një përpjekje më të madhe dhe më serioze për arritjen e paqes në Darfur dhe në Somali, si dhe kërkoi rigjallërim të negociatave për paqen në Lindjen e Mesme. "Mes shumë krizave: ushqimi, energjia, recesioni, klima etj., bota i kthen sytë nga ne për përgjigje, dhe nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë moment kur të gjithë duhet që të sillemi me forca të bashkuara, ky është momenti", ka bërë të ditur Ban Ki Mun. Shefi i OKB-së u kërkoi të pranishmëve që ta bënin vitin 2009 vitin e braktisjes së bombës bërthamore, pasi situata, nëse do të vazhdojë kështu, mund të dalë jashtë kontrollit. Ndërsa Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, nga ana e tij i bëri thirrje Presidentit amerikan që ta konsideronte Iranin një mik potencial, në vend që ta konsideronte siç kishte bërë deri më tani, si një vend armik. Në një konferencë që lideri i vendit islamik dha para fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme, tha edhe se ai priste nga komuniteti ndërkombëtar një dialog të hapur dhe të lirë në lidhje me çështjen bërthamore. Bëhet fjalë për takimin me 76 fuqi botërore që do të organizohet javën e ardhshme për ambicien bërthamore të Iranit. Ahmadinexhad u shfaq i gatshëm për të hapur një dritare dialogu me Perëndimin, para se ai të vendosë për ndërmarrjen e sanksioneve shtesë ndaj Iranit. Ndryshe nga herët e tjera kur ka qenë i ashpër dhe ka ngjallur kundërshti, sidomos në lidhje me retorikën e përdorur ndaj Iranit, Ahmadinexhad këtë herë është treguar më i qetë dhe më bashkëpunues. Ai ka këmbëngulur që vendi i tij nuk është duke ndërtuar armë bërthamore dhe se gjithçka po bëhet për qëllime civile dhe aspak kërcënuese, siç pretendojnë disa vende perëndimore dhe vetë Izraeli. "Shpresoj që Obama do të lëvizë në drejtim të ndryshimit", ka thënë Ahmadinexhad. Në seancën e së martës e ka marrë fjalën edhe Presidenti i Libisë, Muhamar Gaddafi, që ka kritikuar ashpër strukturën e Kombeve të Bashkuara, e cila sipas tij ishte e vjetruar dhe e padrejtë ndaj pjesës më të madhe të vendeve pjesëmarrëse. Me një kopje të preambulës së Kartës së OKB-së, Gaddafi tha se në të deklarohet që të gjitha vendet janë të barabarta, pavarësisht sa të vogla apo të mëdha janë, por kjo nuk ndodh për sa u përket vendeve me status të përhershëm, që nuk përfaqësojnë gjithë larminë e vendeve dhe të fuqive, por vetëm ato që dolën nga Lufta II Botërore. Për këtë shkak, tha lideri libian, vendet nuk ishin të barabarta. "Që nga themelimi i OKB-së kanë plasur 65 luftëra të ndryshme dhe nuk është bërë asgjë për t‘i ndaluar. Sipas tij, demokracia nuk duhet të jetë një luks për më të pasurit dhe më të fuqishmit.