E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjallesat ujore të Gjirit të Meksikës kërkojnë shpëtim në breg

Delfinët dhe peshkaqenët janë shfaqur në bregun e Floridës. Barbunët, gaforret, rajat dhe peshqit e vegjël janë mbledhur me mijëra së bashku në skelën e Alabamës.
Zogjtë e mbuluar prej ujit të ndotur prej naftës ecin ngadalë, për të mos u parë kurrë më. Shkencëtarët janë duke studiuar efektet e fatkeqësisë së BP, duke u përballur me një fenomen të habitshëm.
Peshqit dhe gjallesat e tjera ujore duket se po vrapojnë të tmerruara prej ujit të ndotur në gjirin e Meksikës, duke u grumbulluar përgjatë bregdetit dhe ujërave më të pastra.
Prania e kafshëve shumë pranë bregut do të thotë se mjedisi i tyre i zakonshëm është fëlliqur keqas.
Gjithashtu, gjallesat e vogla tashmë mund të gëlltiten lehtas prej grabitqarëve.
“Një paralel mund të krijohej kësisoj: Përse grabitqarët po vrapojnë në cep të një “rezervati” që po digjet nga zjarri?
Kasaphana e ndotjes në Gjirin e Meksikës tashmë po mbush 2 muaj dhe ka krijuar një çekuilibër në ekosistemin e këtij gjiri dhe jo vetëm kaq, është konsidetuar si një katastrofë historike.
Shkencëtarët po vërejnë me kujdes disa fenomene të pazakonta, ndërkohë që përpiqen të kuptojnë ndikimet mbi mijëra specie të jetës në det.
Ditë pas dite, shkencëtart kanë shëtitur me varka mbi zogjtë e ngrodhur mbi sipërfaqen e detit, kanë parë me sy breshkat e ujit dhe kafshë të tjera.
Shifrat më të mëdha tregojnë që 783 zogj, 353 breshka dhe 412 kafshë të tjera të detit kanë ngordhur – numër ky që zbehet në krahasim me atë çka ndodhi pas fatkeqësisë së Exxon Valdez në Alaska në vitin 1989, kur 250 000 zogj dhe 2800 vidra ngordhën.
Studiuesit shprehen se ka disa arsye për ngordhjen në numër relativisht të pakët: shpërndarja e shpejtë e naftës mbi det bën që shkencëtarët të jenë të aftë të lokalizojnë vetëm një pjesë të vogël të gjallesave të ngordhura.
Shumë prej tyre nuk kanë për t’u gjetur kurrë, sepse zhyten thellë në ujë ose gëlltiten nga grabitqarët e ujit.
Një numër i madh i zogjve po takohen me vdekjen, në Louisiana, ku kërkojnë strehim nga sulmi që u erdhi prej naftës.
Për rreth 4 orë ditën e hënë, një skuadër prej 3 personash bashkë me Greenpeace lundruan në det, kaluan shumë ishuj në Gjirin Barataria në veri të Luizianës.
Ata panë një dyzinë delfinësh plot gjallëri dhe pelikanë të ngjyrosur me naftë, që ushqenin të vegjlit.
“Mendoj se arsyeja që nuk po shohim më gjallesa të tjera është ndikimi prej kësaj krize sapo ka nisur”, shprehet biologu John Hocevar, i Greenpeace.
Numërimi i gjallesave të egra të ujit në Gjirin e Meksikës është më shumë se një stërvitje akademike; ngordhjet në masë do të përcaktojnë edhe rrezikun prej ndotjes së jashtëzakonshme.
Sa për peshqit, studiuesit po përpiqen ende të përcaktojnë ekzaktësisht se po shpërngulen për të kuptuar më mirë kufijtë e plotë të fatkeqësisë dhe asnjë consensus shkencor ende nuk është arritur.
Mark Robson, drejtori i Menaxhimit të Divizonit Detar u shpreh se agjencia e tij duhet të gjejë të dhëna shkencore që peshqit janë dëmtuar rëndë fizikisht.
Ai vërejti gjithashtu se është diçka e zakonshme për peshqit të pësojnë ndryshime të mëdha në mjedisin e tyre, sidoqoftë.
Në disa zona përgjatë bregut, studiuesit besojnë se peshqit po notojnë shumë afër bregdetit, sepse uji është më i pastër dhe më i bollshëm me oksigjen.
Uji jo vetëm po njollos gjithë Gjirin, thonë studiuesit, por edhe po shteron edhe furnizimin me oksigjen të mjedisit ku jetojnë gjallesat ujore.
Një skenar i ngjashëm ndodh gjatë “zonave të vdekura” – koha e muajve të verës, kur oksigjeni pakësohet kaq shumë, saqë peshqit notojnë me shpejtësi drejt bregut.
Më shumë derdhje nafte do të bënte që gjallesat ujore të kapeshin në lak, duke u drejtuar në kërkim të oksigjenit, gjë që shkakton edhe vdekjen e tyre, nëse rruga në kërkim të oksigjenit bëhet e papërballueshme.
“Aftësia e tyre për ta shmangur këtë, mund të kufizohet, veçanërisht nëse turmat e gjallesave pranë bregdetit grumbullohen në numër të madh dhe ky proces vazhdon pambarimisht”.
Peshqit mund të bëhen edhe viktima të grabitqarëve të ujit, siç janë peshkaqenët ose zogjtë e ujit, që ushqehen me peshqit. Tashmë janë parë një numër shumë i madh peshkaqenësh që afrohen drejt bregut deri në cekëtinë.
Shpërngulja e peshqve larg zonës së ndotur mund të jetë një lajm i mirë për banorët e gjirit.

Përgatiti: Rudina Dahri

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›