Presidenca e BE: Statusi i kandidatit për Shqipërinë, brenda 2010-s

Kryeministri belg, Leterme, vendi i të cilit merr me 1 korrik presidencën e radhës të BE-së e kualifikon Belgjikën, si një partizane të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë, ndërkohë që paralajmëron tek prioritetet e gjashtëmujorit, edhe dhënien e opinionit pozitiv për Shqipërinë, lidhur me statusin e kandidatit për anëtar të plotë në Union
Pas zgjedhjeve të parakohshme në Belgjikë, vendi është përfshirë nga valët e krijimit të një qeverie të re. Sipas eksperiencës, formimi i një qeverie në Belgjikë mund të marrë disa muaj. Deri atëherë, është kryeministri në dalje Yves Leterme, që do kryesojë Presidencën belge dhe ministrat e tij kanë përgatitur të gjithë programin e gjashtë muajve të ardhshëm, duke përfshirë edhe dosjen e Ballkanit, për të cilën kjo presidencë pritet të luajë një rol kyç. Ndryshe nga negociatat politike plot surpriza në Belgjikë, Presidenca belge pritet të vijojë normalisht. Përmes një interviste për TV Klan, Leterme shprehet se qeveria blege do mbështesë liberlazimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Si do jetë Presidenca belge sipas jush, një sukses apo jo?
Të shohim. Ne e marrim presidencën pas dy javësh dhe jemi të përgatitur për këtë. Javën tjetër do të takohem me grupet politike të Parlamentit Europian për të diskutuar programin. Pavarësisht nga evenimentet politike post-zgjedhore në Belgjikë që vazhdojnë aktualisht për formimin e një qeverie të re belge, mendoj, se është shumë e rëndësishme, që Belgjika të ndjekë rrugën e duhur dhe që të menaxhojë siç duhet presidencën rrotulluese të BE-së.
Duhet të bashkojmë forcat, që Belgjika të arrijë një presidencë të suksesshme. A është Presidenca belge në favor të zgjerimit? A do ta mbështesni këtë proces gjatë këtyre muajve?
Ne jemi në favor të zgjerimit, por është një proces, ku vendet kandidate duhet ta meritojnë statusin e vendit kandidat. Dhënia e statusit të kandidatit apo hapja e negociatave të anëtarësimit do të bëhet mbi bazën e kritereve objektive.
A i mbaheni qëndrimit, që do të hiqni vizat për qytetarët shqiptarë dhe boshnjakë?
Po. Nëse kushtet janë përmbushur, ne jemi partizanë të heqjes së vizave. Mendoj, se është një moment historik që të afrojmë vendet e Ballkanit dhe të bëjmë të mundur anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian, por sigurisht kur këto vende të jenë gati.
Sipas Komisionit, raporti përfundimtar do të paraqitet në shtator, pra gjatë Presidencës belge...?
Po dhe Presidenca belge do të marrë përgjegjësitë e saj mbi bazën e propozimit të Komisionit Europian.
Kryetari i PPE, Zhozef Dol do të vizitojë Shqipërinë
Kryetari i Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Zhozef Dol do të vizitojë vendin tonë javën e ardhshme, në datat 23-25 Qershor.
Gjatë vizitës së tij, Dol do të takohet me presidentin, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Ilir Meta dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Vizita e Europarlamentarit Dol vjen pasi përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe opozitës dështuan.