Bushati, Hysi dhe Gjiknuri shmangen si negociatorë me europianët për krizën
Janë shfaqur qejfmbetjet e para në kulmin e negocimeve për zgjidhjen e krizës politike në vend. Dy nga negociatorët kryesorë pranë kryetarit socialist, në kontakte me përfaqësuesit e lartë të Brukselit, Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri, nuk janë më pjesë e këtyre negociatave, ata ndodhen larg tyre, ndërsa janë zëvendësuar nga Arben Ahmetaj dhe Taulant Balla. Madje as Vasilika Hysi, e cila ishte pjesë e tavolinës së darkës së “KroKodile” në Strasburg nuk është angazhuar më në takimet e ndryshme që janë zhvilluar me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Madje, në një takim të zhvilluar në Londër me ish- kryeministrin laburist Toni Bler, pak ditë më parë, Rama nuk shoqërohej nga asnjë deputet socialist, por nga kreu i G99 Erion Veliaj dhe këshilltari i tij, Endri Fuga. I ftuar në emisionin televiziv “Zonë e lirë” me gazetarin Arjan çani, Ditmir Bushati shprehu qëndrimin e tij për disa nga zhvillimet e fundit në politikën shqiptare dhe të majtën. Dhe pse i rezervuar dhe i kujdesshëm në frazën e tij, Bushati tha se deklarata e zv/kryetarit të Delegacionit europarlamentar për Ballkanin, rumunit Viktor Boshtinaru, ishte më shumë personale sesa e institucionit që përfaqëson. Boshtinaru kishte deklaruar se mos zgjidhja e krizës rrezikon heqjen e vizave të Shqipërisë me zonën Shengen. Por Bushati foli në emision dhe për deklaratat e ditëve të fundit, për një shkrirje me PS të G99. Sipas tij, ky duhet të jetë një vendim që duhet ta marrin forumet drejtuese të PS, ndërsa Erion Veliaj nëse kjo ndodh, do të jetë një nga 65 mijë anëtarët e PS, të cilët aderojnë dhe kontribuojnë në këtë parti. Bushati tha se çdo zgjedhje apo kooptim i atyre, që pritet të hyjnë në PS, duhet të bëhet sipas një gare të hapur dhe transparente në forumet e Partisë Socialiste. Socialistët janë tashmë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë të PS në rrethe, ndërsa do të jetë kryesia e PS që do të bëjë seleksionimin e tyre.