E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjallica”, 1.7 milionë USD në një kompani në Janinë



TIRANE – Shumën prej 1.7 milionë USD firma piramidale “Gjallica”i ka investuar në kompaninë “Desing” & “Construction Siontis S.A.” e cila ushtron aktivitetin në qytetin Janinë të Greqisë. Zbulimi është bërë nga administratorët e fajdeve, të cilët kanë dorëzuar pak ditë më parë dokumentacionin e plotë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në bazë të vendimit të administratorëve. Kështu pak ditë më parë gjyqtarja Anila Capo, vendosi në Gjykatën e Tiranës të pranonte kërkesën e paraqitur nga institucioni i mbikëqyrjes së fajdeve për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në bazë të vendimit të administratorëve, i cili mban numrin 2 dhe i përket datës 7 shtator 2009, mbi shpalljen debitor për shumën 1.7 milionë dollarë amerikanë të shoqërisë “Desing and Construction Siontis” S.A. Janinë Greqi dhe përfaqësuesit të saj Kristo Siontis. Më tej gjykata ka shpallur se urdhërohet Zyra e Përmbarimit të ekzekutojë vendimin, ndërsa shpenzimet gjyqësore të kësaj çështjeje të mbeten ashtu siç janë bërë. Kërkesa për shumën e konsiderueshme u paraqit rreth dy javë më parë në gjykatë, ndërsa tashmë do i duhet administratorëve që të koordinojnë punët me organet e drejtësisë greke për të mundësuar rikthimin e kësaj shume në Shqipëri. Në fakt në shtetin grek janë zbuluar rreth 13 milionë USD, asete dhe llogari bankare të ish-piramidave shqiptare, “Gjallica”, “Cenaj” dhe “Vefa”, për të cilat tashmë administratorët e fajdeve kanë në dorë të gjithë dokumentacionin e duhur nga shteti shqiptar. Tashmë pritet që bashkëpunimi mes dy vendeve të lehtësojë punën për rikthimin në Shqipëri të shumave që janë transportuar drejt Greqisë gjatë vitit 1997, nga ish-bosët e kompanive të mashtrimit. Po kështu mësohet se këto para ishin investuar nga “Gjallica” dhe “Vefa” në kompani të ndryshme që operonin në shtetin grek, ndërsa Cenaj i ka rënë më shkurt duke i depozituar paratë në dy numra llogarie në një bankë në Athinë. Verifikimet e kryera nga Administratorët kanë nxjerr se njëra llogari përmbante 1 miliardë dhrahmi dhe tjetra 250 milionë. Për këtë shkak Cenaj vuajti një dënim në shtetin helen me 5 vite burg pasi u gjet fajtor për “evazion fiskal”. Më pas ai u arrestua sërish në bazë të urdhër arrestit shqiptar, ku vuajti rreth dy vite burg nga 10 që kishte akorduar gjykata për të. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›