E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nusja e gjetur në Fier refuzon kthimin në shtëpinë e të shoqit



TIRANE - Erlinda Mulla, nusja 17-vjeçare e larguar nga banesa për rreth 10 ditë, pasi u gjet në shoqërinë e një personi në Fier, u kthye pranë familjes së saj në Paskuqan të Tiranës, por refuzoi të kontaktonte me prindërit e bashkëshortit të saj. Adoleshentja mësohet të ketë deklaruar në polici, se nuk dëshironte më të jetonte me prindërit e emigrantit Valmir Picaku, i cili është bashkëshorti i saj, pasi nuk e dashuronte më. Policia tha se vjehrra e vajzës dhe familjarë të tjerë të të shoqit, i kanë kërkuar 17-vjeçares që të kthehej në shtëpi, pasi gjithçka do t‘i falej. Edhe pse ka marrë këtë premtim, vajza e cila u shpall e zhdukur për dhjetë ditë ka refuzuar, duke vendosur të qëndrojë në shtëpinë e prindërve të saj, banesë e cila ndodhet pranë shtëpisë ku qëndrojnë prindërit e bashkëshortit të saj në Itali. I kontaktuar nga të afërmit, bashkëshorti i 17-vjeçares, Valmir Picaku, sipas policisë, ka deklaruar se e respekton vendimin e Erlinda Mullës, meqenëse ajo është shprehur se nuk e dashuron më. Dy ditë më parë, Erlinda Mulla u gjet në shoqërinë e një 18-vjeçari në qytetin e Fierit, të cilin rezultoi se e kishte njohur nëpërmjet një gazete. Pasi u gjet në Fier dhe u shoqërua nga policia në drejtim të Tiranës, 17-vjeçarja nuk ka pranuar të kthehej më tek banesa e të shoqit. Një patrullë policie nga Komisariati i Kamzës ka shkuar në Fier, ka marrë dy të rinjtë dhe i ka sjellë në Tiranë, duke u marrë deklarimet përkatëse mbi ngjarjen. Djali me të cilën ishte shoqëruar adoleshentja, ka deklaruar se e ka njohur në gazetë dhe e ka takuar, por nuk e dinte se ajo ishte e martuar. Vajza është pyetur në lidhje me largimin dhe ka treguar gjithë historinë, duke këmbëngulur se nuk donte të kthehej te familja e të shoqit. Policia ka thirrur edhe familjen e saj dhe pasi ata janë bindur se ajo ishte larguar me dëshirë, vajza u është dorëzuar familjarëve. Vajza 17-vjeçare që për 10 ditë alarmoi policinë e kryeqytetit dhe dy familje në Paskuqan, ka vendosur që të ndahet nga i shoqi, me të cilin nuk kishte bërë celebrim. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›