E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Një situatë e tillë mund të rindezë debate të tipit Meksi- Selami

23/08/2010 Shtohen zërat në PD për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare

Deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, ka dalë kundër mbajtjes së dy posteve, pra edhe në qeveri edhe brenda partisë. Në një prononcim të djeshëm për televizionin UTV, Gjana ka shprehur rezervat e tij në lidhje me këtë çështje, madje duke aluduar se kjo gjendje mund të çojë deri në një konflikt të tipit Selami- Meksi në mesin e viteve ‘90-të, kur Eduart Selami kërkonte njehsimin e postit të ministrit me atë të Kryeministrit, gjë që solli më pas dhe largimin e tij vullnetar nga PD-ja. Gjatë prononcimit të tij Gjana u shpreh se mbajtja e dy posteve bën që të lihen pas dore punët e partisë. “Mendoj se duhet të ketë një ndarje, pra që të mos lihen pas dore dhe punët e partisë që janë shumë të rëndësishme. Një situatë e tillë pra mbajtja e dy posteve mendoj se mund të risillte dhe një debat të tipi Selami – Meksi përgjatë viteve ‘90-të në Partinë Demokratike”, u shpreh Gjana.

Zërat

Afrimi i shtatorit dhe afrimi i zgjedhjeve lokale, duket se ka shtuar zërat se në Partinë Demokratike ka nevojë për ndryshime. Përpara disa kohësh një ide për ndarjen e funksioneve në parti e hodhi dhe deputeti Dashamir Sula, i cili ishte në një linjë pothuaj me deputetin Gjana. Ndërkohë që prej gati tetë muajsh kjo forcë s’ka mbledhur asnjë nga forumet drejtuese të saj, siç është Këshilli Kombëtar, që do të bënte të mundur zgjedhjen e kryesisë së re. Nga ana tjetër, bashkë me shtimin e zërave për ndryshme në PD, duket se janë shtuar zërat dhe për ndryshime në qeveri, ku sipas burime në PD disa prej ministrave nuk janë shfaqur në lartësinë e duhur dhe nuk kanë qenë në një hap me pjesën tjetër të qeverisjes. Një ide të tillë e hodhi dhe aleati i PD-së Nikolli Lesi, zëvendësministër i Turizmit, kur tha se edhe qeveria herë pas here, duhet të ketë frymëmarrje të reja.

Postet

Aktualisht dy janë personat që mbajnë poste të larta edhe në parti, por edhe në qeveri dhe legjislativ. I pari është sekretari i përgjithshëm Ritvan Bode, që është dhe ministër i Financave në qeverinë Berisha prej 6 vjetësh. E dyta, është Jozefina Topalli, kryetare e Parlamentit, e cila njihet për pushtetin që ka brenda Partisë Demokratike. Pjesa tjetër e lidershipit të PD-së, përjashto anëtarët e kryesisë, janë deputetë. Nënkryetari tjetër i PD-së, Astrit Patozi, është kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, por funksion ky që se pengon që të kryejë detyrat e tjera brenda partisë. Por në rast se me ministrin e Financave, mund të jetë më e lehtë ndarja e postit, nuk do jetë aq e thjeshtë zgjedhja për Kryetaren e Kuvendit, e cila dihet që zotëron dhe një klan të fortë brenda Partisë Demokratike, dhe ka mjaft influencë në vendimmarrje. Deri më tani, nuk ka raste që të individëve të ndryshëm brenda partisë që të kenë fituar ndaj nënkryetares së PD, kur ka ardhur rasti për rivalitet apo përplasje me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›