E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Para fermerëve që mbjellin pemë e rrisin bagëti

• Për herë të parë këtë vit qeveria do të mbështesë fermerët në bujqësi e blegtori, me fondet e buxhetit të shtetit.Sipas projektit, që do të vihet në zbatim nga Ministria e Bujqësisë, 10 milionë dollarë do të ndahen në dy zëra. Gjysma e tyre do të shkojë për rritjen e sipërfaqeve të reja me pemë, ndërsa 5 milionët e tjerë për zhvillimin e blegtorisë. “Pjesë e tregut fermerët do të jenë vetëm atëherë kur të ofrojnë produkt, me të cilin paraqiten konkurrues dhe alternativ për tregun”, tha dje gjatë prezantimit të projektit ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Sipas tij, çdo fermer që ka mbi 10 gjedhë në fermën e tij do të marrë nga shteti 10 mijë lekë për çdo bagëti. Ndërsa fermerët që mbjellin me pemë sipërfaqe më të mëdha se 4 dynym do të përfitojnë nga shteti 30 mijë lekë për dynym. Por kjo politikë e ndërmarrë, nuk duhet parë kurrsesi si një përkrahje sociale, por si një politikë që ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm në bujqësi. “Përmirësimi i politikave mbështetëse mbetet një nga prioritet e MBUMK, për ta bërë bujqësinë pjesë të ekonomisë së tregut”, u shpreh Gjana. Sipas tij, Shqipëria është një vend me 2-5 herë më pak tokë për frymë të popullsisë se mesataret e rajonit dhe vendeve të BE-së. “Sipas regjistrimit më të fundit, rreth 350 mijë ferma në aktivitet, me madhësi mesatare vetëm 1.2 ha, më të voglën në Evropë dhe vetëm 20 për qind e fermerëve kanë qasje në treg”, sqaroi ministri. Në këto kushte sipas tij  politikat, masat dhe nxitjet e qeverisë në tre vitet e fundit kanë synuar e synojnë të transformojnë hap pas hapi këtë realitet. “Ja pse kemi zgjedhur si objektiv të parë, të nxisim, të asistojmë, të këshillojmë dhe të mbështesim specializimin e prodhimit drejt atyre produkteve, që vartësisht me kushtet dhe specifikat tona, ne mund t’i ofrojmë tek tregu”, shtoi Gjana.  Duke u ndalur në sektorët që do të përfitojnë nga kjo mbështetje, ministri Gjana theksoi se, orientimi me përparësi drejt prodhimit të perimeve, frutave, ullirit, vreshtarisë dhe minifermave blegtorale është qasja më racionale, me të cilën ne mund të ofrojmë produkt në tregun e vendit dhe në tregjet e tjera. Në kuadrin e masave të marra nga MBUMK, në mbështetje të fermerit dhe konsumatorit, ministri Gjana përmendi rritjen e investimeve publike për ngritjen e rrjetit të marketingut bujqësor në të gjithë vendin, vënien në funksionim të autoritetit kombëtar të ushqimit, miratimin e ligjit “Për ushqimin”, si dhe zbatimin e disa projekteve të huaja në funksion të këtyre masave. Ndërkaq ekspertët deklarojnë se, fondi i vënë në dispozicion të fermerëve për rritjen e prodhimit vendas është disa herë më i vogël se mbështetja që jep shteti në vendet e tjera të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›