Fshati në rrezik, i rrethuar nga shtyllat e tensionit të lartë
• Më shumë se 90 familje jetojnë nën ankthin e vdekjes në fshatin Drizë të rrethit të Fierit. Edhe pse një fshat fare pranë qytetit, duket se është lënë në harresë të plotë.Banorët kanë vite që ankohen për vendosjen e shumë shtyllave të tensionit të lartë pranë banesave të tyre, të cilat kanë rrethuar shtëpitë e tyre. Shumë familje janë vendosur në këtë zonë përpara viteve ’90 dhe qysh atëherë tregojnë se shtyllat kanë qenë të vendosura, por në atë kohë nuk ndienin rrezik për faktin se i gjithë rrjeti përcjellës i energjisë ishte në gjendje të mirë pune. Sot, sipas tyre, është amortizimi i telave që i ka frikësuar së tepërmi. “Kam parë tmerr me sytë e mi kur u shkëput një tel dhe na ra mbi kokën e vajzës së vogël që luante në oborrin e shtëpisë. E mbajti vetëm shtrati i rrushit, vendosur mbi oborr, se do të na kishte shkaktuar ndonjë tragjedi. Qysh atëherë që e pashë afër rrezikun, shkova te përfaqësuesit e Divizionit të Shpërndarjes në Fier dhe u ankova, por me përjashtim të disa fyerjeve të vogla, nuk fitova asgjë”, thotë 75-vjeçari Halit Hoxha. Pjesa më e madhe e banorëve të këtyre lagjeve janë në afërsi të Azotikut e të TEC-it dhe kjo pamje që dominon në fshat, u krijon atyre edhe përshtypjen e një zone të pabanuar. “Nuk kemi ku të ankohemi. Jemi kthyer në një zonë tipike industriale, e pabanueshme. Kjo lagje, shpeshherë më kujton ato minierat ku nuk shkel këmbë njeriu, me përjashtim të punëtorëve. Jemi përpara një rreziku dhe vetëm atëherë kur të ndodhë e keqja, do të merren masat si gjithmonë”, u shpreh Mit’hat Memlika. E ndërsa shumë banorë friken për shkëputjen e telave, të cilët nga çasti në çast mund të bëjnë kërdinë, një tjetër banor e sheh ndryshe rrezikun e familjes së vet dhe të të gjithë banorëve: “Kam pak muaj që më ka vdekur djali dhe, të them të drejtën, akuzoj shtetin për papërgjegjshmëri. U shkova në zyrë punonjësve të filialit të KESH-it në Fier dhe i bëra me dije se më kishin thënë mjekët që grumbulli i kabllove elektrikë para derës së shtëpisë i shtonte djalit shkallën e zhvillimit të cerozës. Kam kabinë në prag të derës. Nëpërmjet kësaj kabine kalojnë me mijëra tela elektrikë dhe në shtëpinë time vjen vetëm era kauçuk. Askush nuk më dëgjoi dhe jam i bindur që djalin e humba vetëm nga pasiviteti i organeve kompetente”. Këto kanë qenë fjalët e Qerim Hoxhës, të cilit interesimi ynë i ngjalli edhe një tjetër plagë, atë të djalit. Banorët e këtij fshati, me një numër frymësh prej rreth 450 të tillë, kanë protestuar disa herë lidhur me këtë problem. Por, përfaqësues të divizionit të shpërndarjes thonë se duhet një projekt për zhvendosjen e potencialit elektrik në zonë.