E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godina e re e Bankës së Shqipërisë, ja si do ndryshojë

• Godina e Bankës Qendrore do të ketë një pamje të re. Projekti i arkitektit italian, Marco Petreschi, është përzgjedhur fitues i konkursit ndërkombëtar për ndërtimin dhe rikonstruksionin e Bankës së Shqipërisë.Fabiola Çela  Së shpejti pritet të zhvillohet dhe tenderi për përzgjedhjen e kompanisë, që do të verë në zbatim projektin, më pas do të nisin edhe punimet. Fondi limit për rikonstruksionin e ndërtesës është 1.000.000 euro. Sipas projektit italian, do të rikonstruktohet e gjithë godina e bankës, por do të ruhet arkitektura e saj aktuale. Projekti parashikon edhe shtimin e ambienteve të bankës. Kompleksi i ri, që do të ndërtohet së bashku me rikonstruksionin e ndërtesës ekzistuese, do të jetë në përputhje me studimin e aprovuar të qendrës së Tiranës dhe do të mundësojë akomodimin e një personeli prej 400 personash, në përputhje me standardet që kërkohen. Ky projekt ka marrë parasysh respektimin e vlerave arkitektonike që paraqet kjo ndërtesë, e cila daton rreth viteve ‘30 të shekullit XX, duke përbërë një vepër të spikatur në stilin e kohës dhe me një vend të rëndësishëm në objektet e qytetit të Tiranës. Gjithashtu, janë parashikuar edhe ndërtimi i ambienteve që ndihmojnë Bankën e Shqipërisë në veprimtarinë e saj, të tilla si muzeu numizmatik, salla e mbledhjeve me kapacitet prej 150 veta, biblioteka e cila parashikohet të ketë edhe funksion publik, ambientet e arshivës, parkimi i automjeteve për rreth 200 vende, si dhe ambiente të tjera social–ekonomike. Për zhvillimin e këtij konkursi Banka e Shqipërisë publikoi njoftimin për përzgjedhjen e projekt-idesë më të mirë në gazetën prestigjioze “Financial Times” dhe në shtypin vendas. Pas publikimit, shfaqën interes për të marrë pjesë në konkurs 27 studio projektimi dhe projektues të huaj, nga të cilët 17 prej tyre paraqitën dokumentacionin përkatës. Konkursi u zhvillua në tre faza, ku në fazën e parë u verifikua kualifikimi ligjor i dokumentacionit të detyrueshëm për paraqitje nga konkurrentët. Në fazën e dytë, nëpërmjet një jurie ndërkombëtare me ekspertë të njohur, të huaj dhe vendas, u krye vlerësimi teknik duke u ruajtur deri në këtë fazë fshehtësia e identitetit të 8 (tetë) konkurrentëve, që kaluan fazën e kualifikimit ligjor. Në përfundim të vlerësimit, juria renditi në një listë përmbledhëse projekt-idetë sipas numrit të pikëve të fituara nga çdo konkurrent dhe vendosi për kualifikimin në fazën e tretë të 3 (tre) projekt-ideve, që fituan numrin më të lartë të pikëve. Në fazën e tretë u paraqitën 3 konkurrentët e kualifikuar, të cilët pas vlerësimit të bërë nga juria vendin e parë e zuri projekti i arkitektit Marco Petreschi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›