E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi më shumë vota pro te Ligjet

Partia Demokratike po ngurron të shqyrtojë 5 dekretet e Presidentit Topi për shkak të votave jo solide në komisionin e Ligjeve. 

BLEDAR HOTI

 Përpos mungesës së kohezionit brenda koalicionit qeveritar, demokratët duket se e ndjejnë atë dhe në komisionin më të rëndësishëm në Parlament. Shkak për këtë është se në të bëjnë pjesë deputetët e PD-së, që kohët e fundit njihen si mbështetës të Presidentit Topi. Nga 23 anëtarë që ky komision ka, 15 i takojnë maxhorancës, ndërsa tetë prej tyre janë të opozitës. Në këtë komision janë deputetët Dashnor Sula, Pal Dajçi, Sali Shehu dhe Galip Ramadhi, të cilët njihen si mbështetës të Presidentit Topi. Ata kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë  të Topit si kandidat për postin e Presidentit në muajin korrik të vitit të kaluar. Përballë kësaj rrjedhjeje, PD duhet të suportojë edhe qëndrimin e aleatëve në këtë komision. Aleatët në këtë komision përfaqësohen me Arjan Madhin e PR-së, Tom Doshin e PDK-së, Spiro Peçin e PBDNJ-së. Nëse 5 ose 6 anëtarë të maxhorancës do të bashkonin votat me deputetët e opozitës, atëherë do të ndryshohej raporti i maxhorancave në këtë komision, duke bërë që pesë dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë të kalonin pa probleme, duke i dhënë një goditje lidershipit të PD-së. Kjo situatë duket se ka sjellë edhe bllokimin e shqyrtimit të dekreteve nga ana e paraqitur, në datat 12 dhe 22 maj. Kryetarja e Kuvendit ka argumentuar faktin se, po bëhet procesi i verifikimit të kandidaturave të paraqitura. Komisioni parlamentar i Ligjeve nuk është mbledhur dje. Arsyeja e mos mbledhjes lidhet me faktin se kryekomisioneri Fatos Beja nuk ndodhej në Tiranë, ndërsa nënkryetari Xhafaj mungonte për arsye familjare. Mos prania e dy drejtuesve ka qenë argumenti që komisioni të mos mblidhej, edhe pse në rendin e ditës nuk ishte parashikuar shqyrtimi i pesë kandidaturave të paraqitura nga ana e Presidentit Topi me emrat e Kristaq Trajës, Altina Xhoxha, Zamir Poda, Medi Bici dhe Artan Zenelaj. Ndërsa sipas burimeve, anëtarët që janë mbështetës të Presidentit në këtë komision nuk janë ngjitur në komisionin parlamentar të Ligjeve. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shpërndarë për mediat një dokument mbi të cilin vërtetohej fakti se, ajo ka kërkuar verifikimin e kandidaturave të paraqitura nga Topi. Mbi dekretin e Topit të paraqitur në Kuvend, me shkrimin e saj Topalli i kërkon kryekomisionierit Beja, që të realizojë procesin e verifikimit. “Z. Beja, komisionit të Ligjeve, për shqyrtim bazuar në vendimin nr.2 të Gjykatës Kushtetuese dt.18.1.2005. Këshillit të Legjislacionit e atij të Rregullores për shqyrtim, për meritën e emërimit”, thuhej në kërkesën që mban në fund firmën e kryetares Topalli. Pas debateve të realizuara një ditë më parë në seancën e Kuvendit mbi dekretet e kreut të shtetit, komisioni parlamentar i Ligjeve pas orës 14.00, ka marrë në dorëzim kopjet e shumëfishuara të dekreteve të Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Por materialet mësohet se nuk janë marrë ende në zotërim nga ana e anëtarëve të komisionit parlamentar të Ligjeve. Deputetët e Kuvendit pritet që të njihen me ato materiale vetëm ditën e sotme, pasi dje nuk kanë arritur që t’i tërhiqnin ato. Ende nuk është përcaktuar një datë fikse për shqyrtimin e dekreteve, pasi kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar tre komisioneve për të shqyrtuar dhe verifikuar meritën e emërimit të pesë të propozuarave.

Meta: Mocioni edhe ndaj qeverisjes Berisha

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur pro pjesëmarrjes së kësaj force politike në mocionin ndaj kryetares së Kuvendit. Sipas Metës, shkelja më e madhe e Topallit ka qenë miratimi më 21 prill i amendamenteve të rëndësishme kushtetuese. “Ne duam t’ju sigurojmë se votat tona do të jenë gjithmonë pro çdo nisme që është kundër drejtimit të Parlamentit në mënyrën si e ka drejtuar deri tani zonja Topalli, ku kulmi i shkeljes së procedurave dhe normalitetit të Parlamentit ishte më 21 prill, në mënyrë krejt të dyshimtë dhe aspak transparente për ndryshimin e Kushtetutës, e cila u ndryshua në substancën e saj në mënyrë të rrufeshme, kur ne e dimë që edhe për një projektligj normal duhet të paktën tre muaj kohë nga paraqitja në Parlament e deri në debatin dhe seancën plenare ku votohet”, u shpreh Meta. Por kreu i LSI-së kërkon nga socialistët që mocioni të mos drejtohet vetëm ndaj Topallit, por në radhë të parë ndaj qeverisjes së Sali Berishës. “Ne jemi tërësisht dakord. Nuk e dimë nëse kjo është iniciativë që thjesht ngelet te niveli i drejtimit të parlamentit nga ana e zonjës Topalli, apo është një mocion që drejtohet, në radhë të parë, ndaj mënyrës së qeverisjes së të gjithë vendit dhe kuptohet së pari të Parlamentit, nga kreu i maxhorancës, Kryeministri i gjithëpushtetshëm pas 21 prillit, zoti Berisha”, tha Meta. Por sipas tij, “në rast se mocioni drejtohet dhe kundër Berishës, nuk e dimë a do të vazhdojë lidershipi i Partisë Socialiste dhe pas këtij mocioni që të përmbyllë ndryshimet Kushtetuese dhe të Kodit zgjedhor me zotin Berisha”. Meta hodhi dyshime për suksesin e këtij mocioni, pasi sipas tij, pas ndryshimeve kushtetuese, nuk ka deputetë të djathtë që mund të kundërshtojnë Sali Berishën tashmë të plotfuqishëm.                                                                a.l. 

Braçe: Në 20 muaj u miratuan 12 ligje antikushtetuese

Nënkryetari i grupit të deputetëve socialistë, Erion Braçe akuzoi kryetaren e parlamentit se, ka dështuar në detyrën e saj. “Është përgjegjësia e saj, anti-kushtetutshmëria e Kuvendit. Ajo nuk mund të jetë simbol i Kushtetutës, në 20 muaj janë 12 ligje antikushtetuese të shpallura të tilla nga Gjykata Kushtetuese të miratuara nga Topalli, madje disa me shpejtësinë e dritës dhe nën nxitjen e parave të pista”, tha Braçe. Për socialistët, Kuvendi nën drejtimin e Jozefina Topallit është kthyer në një shtëpi korrupsioni. Sipas Braçes çdo gjë që miratohet në Kuvend me votat e shumicës, ka një kosto financiare. “Kuvendi është kthyer në një shtëpi korrupsioni, ku duart e pista kanë kapur procesin ligjbërës duke detyruar dhe ligje që vranë njerëz, ku ligjet blihen nga lloj-lloj horrash klientë të Sali Berishës, që bëjnë para të paligjshme, Kuvendi është kthyer në një lavatriçe të parave të lloj-lloj horrave klientë të Sali Berishës, të cilët përmes Parlamentit, votimeve të blera në të, po marrin të mira publike, licenca, toka me 1 euro, të drejta biznesi, favore të paligjshme pa kufi”, vijoi Braçe. Duke prekur çështjen e Gërdecit, për të cilën ende nuk po zhvillohet votimi për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Braçe akuzoi se pas tij fshihet Kryeministri i vendit. “Berisha dhe Topalli po kryejnë çdo ditë krim, duke penguar hetimin për krimin e shekullit të shtetit në Gërdec. Topalli nuk po dorëzon Mediun sepse siguria e Mediut, heshtja e Mediut, dëshmia e Mediut është jetike, pasi ai dorëzon Berishën. Është Sali Berisha autori kryesor, përfituesi direkt nga ai krim i përbindshëm, familjarisht”, shtoi Braçe. Ndaj socialistët kanë vendosur një afat për këtë. Sipas Braçes, “më datë 12, Kuvendi të hapë rrugë me votim Prokurorisë për Mediun, me qëllim thellimin e konkretizimin e hetimeve për Berishën e familjen e tij”. Nënkryetari i grupit socialist e konsideroi bllokimin e mandateve të presidentit si tentativë për kapjen e Gjykatës së Lartë. Bllokimi i dekreteve të Presidentit për emërimin e 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë është flagrant, antikushtetues, i qëllimtë në kapjen politike të Gjykatës së Lartë. Pra, Jozefina Topalli e Sali Berisha duan pjesëmarrje politike dhe sundim mbi Gjykatën e Lartë. Në mënyrë të përsëritur, kjo është lufta e Sali Berishës me gjykatësit e Gjykatës së Lartë”, u shpreh Braçe. Socialistët kërkojnë që dekretet e Presidentit të votohen më 9 qershor në Kuvend si garant për pavarësinë e Gjykatës së Lartë dhe gjithë sistemit të drejtësisë.                                      a.l.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›