E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjanica, specialistët në alarm për ndotjen

 

FIER - Lumi Gjanicë që kalon nëpër qytetin e Fierit rrezikon jetën e banorëve. Specialistët e mjedisit japin alarmin për gjendjen e krijuar, për shkak të ndotjes dhe erës së keqe. Banorët janë të ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe epidemive, por megjithëkëtë, ende nuk ka asnjë masë konkrete për të evituar një fakt të tillë. Gjatë viteve të fundit, lumi është kthyer në një vend ku hidhen tonelata me plehra dhe mbetje të tjera industriale. Gjanica është i vendosur në mënyrë të tillë, që prek të gjitha lagjet qendrore të Fierit. Në këmbëzat e urave ka mbeturina masive që shpërndajnë erë të keqe gjithandej. Vendorët kanë premtuar herë pas here se do të realizojnë së shpejti projektin, që synon rehabilitimin e Gjanicës, por ende nuk është bërë asgjë. Nisur nga situata e krijuar, specialistët e mjedisit japin alarmin për rrezikun real, që u kanoset për çdo ditë banorëve të Fierit dhe të rrethinave. Ata kërkojnë që bashkia të marrë masa të menjëhershme për pastrimin e lumit nga tonelatat e mbeturinave, pasi janë kthyer në bartës të sëmundjeve kancerogjene. Këto mbeturina, sipas specialistëve të mjedisit, kanë krijuar probleme të mëdha ekologjike në Fier. Shirat e rëna gjatë ditëve të fundit, jo vetëm që kanë shtuar prurjet e ujit, por kanë nxjerrë në sipërfaqe në të dy anët e lumit të gjitha ndotjet, që qëndronin në të. Një tjetër ndotje e rrezikshme për banorët janë edhe mbetjet industriale. Në ditët me shi dhe në temperatura të larta, situata kthehet në kaotike dhe era mbyt gjithë qytetin. Sipas bashkisë, tri herë ka dështuar procesi i tenderimit për hartimin e një projekti për rehabilitimin Gjanicës. Nënkryetarja e bashkisë Eriselda Çobo u shpreh se në vendin tonë nuk ka studio të mirëfilltë për specifikën hidro, që të plotësojë standardet evropiane, që kërkon bashkia për rehabilitimin dhe kthimin në identitet të Gjanicës.             m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›