Viktima, katër ditë u sorollat në spitale
TIRANE - Në dosjen penale në ngarkim të dy mjekëve, Avenir Balili dhe Shpresa Thomaj, Prokuroria e kryeqytetit ka shënuar se viktima Arta Huldedaj është endur për katër ditë me radhë dyerve të spitaleve, derisa ka vdekur më 1 korrik 2007. Fillimisht ajo kishte shkuar në maternitet për t'u kuruar por mjekët duke pohuar se ajo kishte helmim e kanë orientuar për në repartin e toksikologjisë në Spitalin Qendror Ushtarak. Pas vizitave që i janë bërë aty, mjekët e kanë drejtuar të rikthehej në maternitet, prej nga ka shkuar në një klinikë private për të bërë analizat. Pas këtyre ecejakeve që i kanë zgjatur plot katër ditë, ndërsa qëndronte te disa të afërm në fshatin Paskuqan, 26-vjeçarja dibrane ka gjetur vdekjen. Nisur nga ky fakt, Prokuroria ka nisur procedimin penal ndaj bluzave të bardha, hetim i cili zgjati për rreth një vit e gjysmë dhe që u mbyll në fund të muajit janar të këtij viti. f.m.