E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, ndërtimoret prishin shtëpitë për rrugën e re

 

BERAT - Ndërtimorët prishin 10 banesa në Berat. Investimi për ndërtimin e rrugës së re, që fillon në hyrje të qytetit për t'u lidhur më pas me urën e re të Goricës, duke u bërë pjesë e aksit qendror-jugor, ka filluar edhe prishjet e para në lagjen "Çlirim". Një fadromë nga Tirana shembi dje ndërtimet, të cilat ishin ngritur në gjurmën ku kalon rruga e re. Në valën e shembjeve ishin kryesisht shtesa të banesave. Banorët e shtesave në këtë lagje pohuan se nuk u kishte dërguar askush një shkresë zyrtare për t'iu komunikuar prishjen. Për të shmangur incidente të mundshme, në mbështetje të ndërtimorëve të ardhur nga Tirana ishin edhe forcat e policisë së qytetit të Beratit. Ata ishin të pranishëm gjatë gjithë aksionit. Banorët e irrituar u shprehën se shtëpitë që u janë prishur ishin të gjitha me dokumentacion të rregullt. Sipas tyre, ata nuk ishin njoftuar më parë, ndërkohë që shteti nuk iu ka dhënë as dëmshpërblimin për dëmin e shkaktuar. Burime nga bashkia bënë të ditur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për prishjen e këtyre banesave dhe se një pjesë e tyre ishin pa dokumentacionin përkatës. Të njëjtat burime saktësuan se në ditët në vijim, duke filluar nga hyrja e qytetit, të gjitha ndërtimet do të prishen. Rruga mësohet se do të jetë 20 metra e gjerë, me lulishte në mes dhe ndriçim. Sipas bashkisë, të gjitha familjet që janë prekur nga ky ndërtim do të dëmshpërblehen. Janë plot 120 ndërtime që kap ky plan rregullues, një pjesë prej të cilave banesa, garazhe, dyqane, mure rrethuese etj. Aksioni i djeshëm nuk shënoi konfrontime mes policisë e banorëve, veçse pakënaqësisë së këtyre të fundit për sa i përket dëmshpërblimit.                            d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›