E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e shtatzënës, mjekët nën akuzë

 

Fatos Mahmutaj

Vdekja e një 26-vjeçareje shtatzënë ka dërguar në bankën e të akuzuarve në gjykatë dy mjekët gjinekologë kryeqytetas, Avenir Balili dhe Shpresa Thomaj. Ngjarja ka ndodhur më datë 7 korrik 2007, ndërsa mbi dy "bluzat e bardha" rëndon akuza e "mjekimit të pakujdesshëm". Sipas Prokurorisë, viktima Arta Huldedaj, një muajsh shtatzënë ka mbërritur në gjendje të rëndë nga rrethi i Dibrës. Me qëllimin për të marrë mjekime nga mjekë të specializuar kryeqytetas, ajo ishte vendosur te disa të afërm të familjes në Paskuqan. Pas disa problemeve shëndetësore akute Huldedaj shkon për t'u kuruar në spitalin Gjinekologjik të kryeqytetit por dy mjekët e paditur Balili dhe Thomaj e orientojnë për t'u kuruar në Spitalin Ushtarak, me pretendimin se ajo ishte helmuar. Mjekët e Spitalit Ushtarak pas vizitës i kanë konfirmuar se nuk kishte asnjë problem të tillë, dhe se shqetësimet i vinin nga shtatzënia. Sipas tyre, ajo kishte probleme me fetusin, ndaj e kishin urdhëruar që të merrte sa më parë mjekime të specializuara në maternitetin e Tiranës.
Vdekja
Pas kësaj ajo është rikthyer në spitalin gjinekologjik, por dy mjekët sërish e kanë orientuar për të Spital Ushtarak, duke mohuar që ajo të kishte probleme me shtazëninë, ndërsa këmbëngulnin për helmim. Pas kësaj 26 vjeçarja ka shkuar në një klinikë private ku ka bërë analizat, të cilat kanë nxjerrë se ajo vuante nga probleme shtatzënie. Ndërsa është rikthyer sërish në maternitet ajo ka vdekur. Pas kësaj prokuroria ka marrë në përgjegjësi penale dy mjekët Avenir Balili dhe Shpresa Thomaj, e cila mban edhe mbiemrin Metushi. Për më tepër se një vit e gjysmë janë kryer veprime hetimore në ngarkim të dy bluzave të bardha, ndërsa në fund të muajit janar është deklaruar mbyllja e hetimeve dhe nisja e dosjes për në gjykatë. Po kështu bëhet e ditur se mjekët kanë marrë dijeni për këtë çështje, ndërsa kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, duke pretenduar se vdekja e shtatzënës 26-vjeçare ka ardhur si pasojë e helmimit dhe jo problemeve gjinekologjike. 
Dosja
Dosja në ngarkim të dy mjekëve ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë dhe pas procedurave të shortit elektronik, në këtë institucion është caktuar gjykatësi Ilir Çeliku për ta gjykuar atë. Data e parë e seancës është caktuar më datë 11 mars. Burime nga hetimi pohojnë se mjekët, të cilët u hetuan në gjendje të lirë, kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Ata pohojnë se vdekja e 26 vjeçares ka ardhur nga probleme të tjera, jo gjinekologjike. Po kështu pohohet në dosjen ndaj mjekëve nuk është kërkuar vendosja e masës së sigurisë për faktin se ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, si dhe nuk kanë tentuar të zhdukim apo dëmtojnë provat. Gjithashtu pohohet se në dosje ndodhet edhe një ekspertizë mjeko-ligjore, e përpiluar nga specialistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila ngarkon me përgjegjësi dy bluzat e bardha. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i mjekëve për akuzën gjatë gjykimit të kësaj çështjeje, ndërsa pritet që seancën e parë ata të prezantojnë në gjykatë mbrojtësit ligjorë si dhe kërkesat paraprake në gjykimin e çështjes.

Dosja penale

TE pandehur
Avenir Balili, mjek gjinekolog
Shpresa Thomaj (Metushi), mjeke gjinekologe

Akuza
"Mjekim i pakujdesshëm", neni 96 i Kodit Penal.

Viktima
Arta Huldedaj, 26 vjeç

Ngjarja ndodhur më një korrik 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›