Precedentët, në Gjykatë edhe mjeku Xhevair Hoxhallari për 17-vjeçaren
TIRANE - Pak ditë më parë është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dosja penale në ngarkim të mjekut pogradecar Xhevair Hoxhallari, i akuzuar për mjekim të pakujdesshëm. Prokuroria e kryeqytetit ka përfunduar hetimet dhe ka mbyllur dosjen penale ndaj mjekut Hoxhallari, i akuzuar për shkaktimin e vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë pasditen e 29 prillit të këtij viti, pak ditë pas operimit të bajameve nga doktori tashmë i pandehur. Prokuroria pohoi më parë se nga akt-ekspertiza e përpiluar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore rezulton që shkak për vdekjen e adoleshentes ka qenë pikërisht ndërhyrja e gabuar gjatë operacionit dhe moskujdesi i vazhdueshëm më pas. Aktualisht në gjykim ndodhet ish-shefi i repartit të Reanimacionit në Spitalin Ushtarak, mjeku anestezist Viktor Kotani. Edhe ndaj tij rëndon akuza "mjekim i pakujdesshëm", me pasojë vdekjen e pacientit Urim Baçi në korrik 2007. Ai mbërriti në spital i aksidentuar nga një makinë, por tri javë më vonë vdiq në reanimacionin e Ushtarakut. Familjarët e tij pretendojnë se vdekja ka ardhur për shkak të neglizhencës së mjekut. Vetëm një muaj më parë, Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm shefin e kirurgjisë raciale në QSUT, Ramazan Isufi dhe anestezistin Bensar Shuteriqi, të akuzuar si shkaktarë të vdekjes së një fëmije 16 muajsh, i cili ndërroi jetë para dy vitesh teksa iu nënshtrua një operacioni në rrugët e frymëmarrjes. fa.ma.